Celebrity

Dashuria s’njeh gjini: Dedikimi i Ellen për të shoqen është kaq i ëmbël

17 Gusht 2017

Dashuria s’njeh gjini: Dedikimi i Ellen për të shoqen

Ellen Degeneres dhe Portia de Rossi festojnë 9-vjetorin e martesës dhe siç bëjnë gjithë çiftet e dashuruara, kanë hapur zemrën me dedikime dashurie në rrjete sociale. Drejtuesja e emisionit “Ellen Degeneres Shoë” publikoi në Instagram foton e ditës së dasmës, ku të dyja duken kaq të lumtura të kapura dorë për dore. “Portia de Rossi dhe unë jemi martuar 9 vite më parë. Të qenit gruaja e saj është gjëja më e bukur që jam,” shkruan 59-vjeçarja, që sigurisht mori një përgjigje nga gjysma e saj më e mirë.

 

@PortiadeRossi and I got married 9 years ago today. Being her wife is the greatest thing I am.

A post shared by Ellen (@theellenshow) on

“Kemi qenë bashkë për kaq kohë sa dukemi si fëmijë në këtë foto, por është shkrepur nga një aparat fotografik! Gëzuar 9-vjetorin,” shkruan Portia në një foto të turbullt të të dyjave të përqafuara dhe të buzëqeshura gjatë një darke. Gjatë një interviste me Oprah Winfrey, de Rossi rikujtoi momentin kur ra në dashuri me DeGeneres.

“Jemi njohur si shoqe megjithatë ndjeva një tërheqje të menjëhershme. Folëm pak dhe gjatë tre viteve shihnim njëra-tjetrën në festa dhe evente të ndryshme, por momenti më domethënës ishte gjatë një seti fotografik. Shkova ta përshëndes dhe kur u kthye ishte si një shigjetë që më ra në zemër. Mu dobësuan gjunjtë dhe u trondita nga ajo që ndjeva, por pastaj m’u deshën 10 muaj të merrja kurajon dhe të bëja diçka.”

Në 2008-ën, Ellen tha publikisht në emisionin e saj se do të martohej me Portia-n, menjëherë pasi martesat brenda të njëjtit seks u bënë të ligjshme në Kaliforni. Ato u martuan në gusht, në një ceremoni intime në shtëpinë e tyre në Los Angeles.

“Portia dhe unë i themi vazhdimisht njëra-tjetrës, ‘Jemi kaq me fat. Ndonjëherë kur shtrihem në mbrëmje i them faleminderit kujtdo që është atje lart. Jam mbërritur në një pikë ku ndihem mirë. Vërtet. E di që unë s’do të shkoj gjëkundi. Ajo nuk do të shkojë gjëkundi. M’u desh pak kohë në jetën time për ta gjetur këtë,” është shprehur Ellen në një intervistë për People një vit më parë.

Burimi: People