Që në fillim të 2017-ës, nisma e ideuar, konceptuar dhe realizuar nga Albana Osmani, “Ti je një luledielli” në ndihmë të fëmijëve të sëmurë, ka bërë një bujë të paparë në media dhe jo vetëm. Kauzës së moderatores i janë bashkuar shumë emra të njohur të botës së politikës, biznesit apo sepktaklit, që e ndihmuan për të promovuar veshjet me logon e lulediellit që shiten online, dhe gra të suksesshme në karrierat respektive si Sadije Berisha, Anila Godo, Donika Bardha, Inva Mula apo Anita Haradinaj që po e ndihmojnë të rritet dhe më tej edhe jashtë vendit.
Por kur vjen puna tek ëndrrat, qielli është limiti dhe Albana e ka ndarë mendjen që logoja e lulediellit do marrë dhenë, prandaj pse të mos jetë pjesë e koleksioneve të ardhshme të Chanel?
Do dukej moderne dhe në thelb do të fshihej një qëllim i mirë, që do të thjeshtonte jetën e shumë fëmijëve të sëmurë.
Albana ka takuar Ibrahima Diop, kryemjeshtrin e Chanel dhe me siguri ka folur për këtë. I specializuar në haute couture, Diop ka punuar për Dior, Balenciaga, Hermes e kryesisht Chanel, dhe ka ardhur në Tiranë për të ndarë përvojën e tij me veshjet dhe aksesorët e punuara me dorë me studentët dhe sigurisht që Albana s’do ta linte këtë vizitë t’i shkonte dëm.
“I thashë që e dua Chanel-in si gjithë bota, por një luledielli në një çantë Chanel apo në një arush është e adhurueshme.” Dëshirë e Albanës, apo një projekt i ardhshëm, mbetet për të parë. Por s’do të ishte aspak keq vërtet.