Është data 2 janar dhe që tani Viti i Ri po harrohet, shumë njerëz janë kthyer në punë dhe 2017-a zëre se nuk ishte kurrë.
Por me gjasë, shumë prej jush kanë akoma në frigorifer mbetjet e darkës së fundit të vitit, më e ngrohta, më e shijshmja dhe më e shfrenuara.
Çfarë nuk mungoi në tavolinën e familjeve shqiptare? Bakllavaja po se po. Por vendin më të rëndësishëm, në mes të tavolinës, e zuri ai që ka qenë kahera pjesë e traditës: gjeli i detit.
Ndjekësit e Anabel në Facebook na dërguan në kohë reale foto nga darkat që kishin organizuar dhe emërues i përbashkët i të gjitha fotove ishte mishi i pulës.
Por mbi të gjitha gjeli i detit, që siç shkruan një lexuese, shfrytëzohet në të gjitha mënyrat e mundshme: zihet, piqet dhe lëngu i mishit përdoret për pilafin, supën, makaronat dhe sigurisht, përsheshi me kulaç dhe lëng mishi...më shumë se kaq s’ke ç’ti marrësh më atij gjeli.
Dhe sigurisht, darkat shqiptare nuk synojnë të jenë të thjeshta apo dietike. Mezet dhe gatime plot kalori si byreku apo flija janë karta e forcës së gjysheve, mamave dhe baballarëve, që sigurisht nuk shijojnë deri në fund nëse nuk ka plot, plot alkool.