Shënim:Ky artikull është shkruar nga Klodiana Beshku.
U bë kohë që dua të shkruaj diçka mbi arsyet se përse ia vlen të jetosh në Shqipëri. Meqënëse nuk bëjmë gjë tjetër përveçse ankohemi, shpotisim, përbuzim e shajmë vendin tonë, mendova të shkruaj disa radhë me një frymë ndryshe, duke gjykuar se këto arsye mund të gjenden lehtësisht tek disa gjëra të vogla që na rrethojnë, të cilat i marrim për të mirëqnëa, por që mund të na bëjnë më të lumtur. Kujdes! Ky shkrim nuk është për njerëz mosbesues, fatalistë apo cinikë të cilët janë gati të vendosin lloj-lloj epitetesh apo të hamendësojnë gjithësoj "raison d’être" të tij. Këtyre të fundit u lutem të mos vazhdojnë të lexojnë më tej. Ky është për ata që lumturinë e gjejnë në gjëra të vogla, jo materiale dhe shpirtin nuk e kanë të helmuar nga gjithfarë pakënaqësish me veten e me gjithçka i rrethon.
1. Radio Top Gold që na shoqëron kudo
Jo, nuk po i bëj reklamë Top Radio-s. Ajo tashmë është kthyer në një institucion dhe asnjëherë nuk ka pasur nevojë as për reklamat e të tjerëve aktorë të fuqishëm ekonomikë, jo më për reklamë nga unë. E meriton të përmendet në këtë listë për arsyen e parë se ishte dëgjimi i këngëve në Top Gold i cili më frymëzoi për këtë shkrim dhe për arsyen e dytë se u bënë dekada që dëgjojmë muzikë cilësore, njëzet e katër orë në njëzet e katër, pa ndërprerje publicitare në mes. Muzikë e artë, e çmuar, nga ajo që të sjell në mendje çaste fëmijërie kur mezi prisnim të dielën për të dëgjuar hit-parade-in tek TVSH-ja e deri tek rendjame makinë drejt maternitetit për t'i dhënë jetë fëmijës tënd të parë. Madonna, Pet Shop Boys, George Michael, Depeche Mode, The Cranberries etj parakalojnë dinjitozë si sekuenca filmike, bashkë me jetën tënde.
2. Kakaoja kakao, ajo e vërteta.
Në Tiranë mund të pish ende një kakao të vërtetë, nga ajo pija e nxehtë që bënim dikur në shtëpi atëherë kur ëmbëlsirat ishin ende të pakta në numër dhe na duhej t’i sajonim me ç’të mundeshim. Bëhet fjalë për një lloj kakaoje e cila ka shijen e kakaos dhe ku qumështi ndjehet shumë pak, jo qumësht me kakao nga ato me bustina të gatshme që servirin rëndom. Sa herë dal për kafe me një shoqen time të vjetër, shoh si zhgënjehet kur i shërbejnë këtë kakao të gatshme që s'ka lidhje me kakaon e vërtetë. "Eh, s’ka si kakao e Odeonit” (frekuentuesit e vjetër të bareve të Tiranës tek zona e Shallvareve do e kuptojnë për çfarë e kam fjalën), e dëgjoj teksa psherëtin nëpër dhëmbë, duke u munduar të sjellë në mend baret që i përmbushin pritshmëritë tona të kakaos.
3. Librat dhe Hard Rock-u
Në Tiranë, do apo nuk do, je gjithnjë në kontakt me librat dhe muzikën Hard-Rock. Qyteti vërtet nuk ka ende biblioteka moderne e me shumëllojshmëri tekstesh të reja (një e tillë me emrin "Musine Kokalari" sapo është çelur dhe e shoh me admirim teksa kaloj çdo ditë pranë saj për në punë), por ato të vjetrat në çdo lagje janë aq të dashura në stilin e tyre old-fashioned.
Gjithashtu vakumi vleror, shpirtëror e kulturor i disa dekadave më parë rreket të mbushet me gjithfarësoj aktivitetesh të ndryshme për librat: klube leximi, takime me shkrimtarët, promovime, diskutime, kronika mbi librat e rinj etj. Teknologjia na e ka lehtësuar marrjen e ftesave, ndaj mjafton të gjejmë pak kohë për t’u bërë pjesë e tyre.
Ndërkohë muzika Rock me versionin e saj më të pastër të Hard-Rockut nuk mungon në të njëjtin kuadrim old-fashioned. Im shoq nuk është fort hard-rocker, por duket se argëtohet pa masë kur sheh se ç’efekt bëjnë mbi mua e miqtë tanë koncertet live ose club-et apo lokalet ku nuk mungon muzika e Metallica-ve, Whitesnake, Led Zeppelin, Iron Maiden, ACDC së bashku me derivatet e tyre bashkëkohore rock alternativ dhe disi më soft si The Smashing Pumkins, The Cure, Daft Punk, Radiohead, Linkin Park, Muse, Kings of Lion, Coldplay apo Green Day.
Tani që po e mendoj mirë, jam vërtet një njeri “old-style” siç më thotë shpesh ai, por nuk më vjen aspak keq për këtë. Pak konservatorizëm i bën mirë botës.
4. Ngjyrat e qytetit dhe vizatimet nëpër muret e tij
Tirana ka shumë ngjyra, thënë kjo në një kuptim shumëdimensional. Ngjyra në sensin që nuk di se ç’të pret pasi asnjë ditë nuk është e njëjtë me tjetrën dhe në kuptimin që ka qytetarë me shumëllojshmëri pamjeje të jashtme e sistemi vlerash të ndryshme, tipike kjo për një metropol. Qyteti ka ngjyra edhe si ngjyra në kuptimin e parë të fjalës: Ngjyra vjeshte apo pranvere, ngjyra godinash, ngjyra rrugësh, ngjyra sheshesh e ngjyra zbukurimesh për festa.
Këtyre u janë shtuar edhe disa vizatime superheronjsh, filmash vizatimorë klasikë, diçiturash apo personazhe librash për fëmijë të cilat, së bashku me grafitet, parrullat antikonformiste apo ato të dashurisë, kanë bërë që në qytet të ketë një tendencë për street art të njëmendtë. Ato të shfaqen para syve papritur, në vende që nuk i pret asfare dhe të zbukurojnë ditën, megjithëse veç për një çast.
5. Miqtë e shokët
E fundit dhe më e rëndësishmja janë, padyshim, njerëzit. Tirana mund të jetë nga metropolet e pakta ku ende mund të marrësh në telefon një mik a një shok e ta shkëpusësh nga puna për t’i qarë një hall, mund të takosh një shoqe për kafe, t’i telefonosh dikujt të të shoqërojë diku me makinë, të dalësh për të ngrënë drekë ose darkë thjesht sepse ke nevojë të takosh dikë. E di që shume prej jush mund ta quajnë këtë të zakonshme, por nuk është kudo kështu. Në kohën e teknologjisë së avancuar njerëzit po komunikojnë gjithnjë e më shumë në whatsapp, viber apo mesazhe.
Edhe telefonatat janë bërë gjithnjë e më të rralla mes tyre, jo më kafet e takimet. Metropolitanizmi i egër i qyteteve perendimore i ka bërë njerëzit shumë individualistë dhe është e paimagjinueshme t'i kërkosh ndihmë dikujt për përditshmërinë. Secili duhet t’ia dalë vetë me forcat e tij, ndaj kërkimi i ndihmës tek tjetri është kthyer në një tabù.
Kështu ka gjasa të bëhet kudo në të ardhmen, ndaj duhen vlerësuar e promovuar sa më fort vlerat solidare që i kanë mbetur qytetit. Kohët e fundit në Tiranë kanë filluar të jetësohen forma të ndryshme vullnetarizmi, bamirësie, ruajtjeje ambjenti e mbrojtje të kafshëve të cilat, edhe pse ende jo masive, janë të çmuara në këtë drejtim.
Ka iniciativa për korsi biçikletash, për mbjellje pemësh, projekte për trasta në vend të qeseve të celofonit, ditë e festa kushtuar bamirësisë, organizime në ajër të pastër, sport, vrap etj. Skeptikët janë të shumtë, përfshi këtu edhe ata që do të merren me mua, por më e rëndësishmja është që të kemi një qytet më të mirë i cili i bën qytetarët më të denjë dhe anasjelltas.
Në fund të fundit, besoj se ky është një nga ato qarqet viciozë të paktë ku ja vlen të përfshihesh.