Marc Jacobs , pak ditë më parë shfaqi koleksionin e Vjeshtë/Dimër Ready-to-wear, i gjithi ndikuar haptazi nga trendet e viteve ’80. Të njëjtën rrugë ndoqi dhe Christopher Bailey, drejtori artistik i Burberry, për koleksionin e tij të fundit në këtë shtëpi mode.
Koleksioni i Pranverë 2018 Ready-to-wear quhet “Time” (koha) dhe është frymëzuar nga fëmijëria e Bailey-t në një qytet të vogël britanik dhe rrugëtimi i tij drejt pozicionit në të cilin ndodhet sot. Veshjet ishin “për të shkuarën, tashmen dhe të ardhmen” e Burberry-t. Për të rikthyer veshjet tipike të Burberry-t të viteve ’80, Bailey riktheu pulovrat dhe kapelat e ndryshme. Këto copëza u miksuan me pulovrat me logo London dhe shaje mëndafshi me printe.
Ishte më tepër nostalgji, sesa një kujtim i gëzueshëm i karrierës së Bailey-t në Burberry. Lamtumira e dizajnerit nga shtëpia e modës ishte gjithshtu një tribut ndaj një brandi që e mori ashtu si ishte, homoseksual dhe i ri, dhe e lejoi të bënte atë që dinte më mirë për vite me radhë.
Koleksioni ishte i mbushur me simbole të komunitetit LGBTQ+ dhe të shëndetit mendor. Flamurë ylber ishin prezentë kudo: në çanta, në funde, atlete e kapela.
Shfaqjen e mbylli Cara Delevigne, me një fustan të bardhë dhe një pellush të gjatë deri në fund të këmbëve, me gjithë ngjyrat e ylberit LGBTQ+. S’mund të kishte modele më të përshtatshme, duke marrë parasysh se Cara vetë i përket këtij komuniteti.