Kur isha në shkollë të mesme kishte shumë gjëra që i konsideroja goxha gjeniale- përdorja kode kur shkruaja poezi për djalin që kisha qejf ose vendosja pak pastë dhëmbësh mbi çdo puçërr që mbinte si nga hiçi.
Nëse nga kjo lloj poezie njerëzit heqin dorë që në vit të dytë, kur vjen puna te hilja e pastës ende shumë prej nesh (përfshirë edhe mua) betohemi e stërbetohemi se është “trajtimi” i përkryer. Lind pyetja: Është vërtet zgjidhja e duhur?
“Pasta e dhëmbëve është përdorur historikisht si një ilaç popullor, nëse mund të shprehemi kështu për shkak se shumica e tyre përmban një përbërës, triclosan- in, një kundërbakterial që vret bakterin përgjegjës për aknet në fytyrë.” Shprehet Joshua Zeichner, drejtor i klinikës kozmetike dhe kërkimeve shkencore në spitalin Mount Sinai, New York.
Dr. Joshua thotë se pavarësisht kësaj, në shumë studime është parë një lidhje midis triclosan- it dhe çrregullimeve hormonale, arsye kjo përse shumë pasta dhëmbësh po mundohet ta heqin përbërësin në fjalë nga formula e tyre. Edhe nëse kjo ndodh, pasta e dhëmbëve do të vazhdojë t’ju bëjë punë, të paktën në sipërfaqe për shkak të sodës së bukës dhe alkoolit që përmban.
“Pasta mund të ketë një efekt përtharës duke ulur kështu sipërfaqen e acarimit dhe skuqjes. Tingëllon fantastike ëë? Në fakt jo: përqëndrimi i këtyre përbërësve është shumë më i lartë dhe më i ashpër për lëkurën. Pasta është ideuar për të larë dhëmbët, ndaj nëse e përdorni në lëkurë do t’ju irritojë, thajë dhe plasarisë lëkurën. E gjitha kjo të çon në një reaksion zinxhir të pakëndshëm. Lëkura e prirur ndaj akneve do të reagojë ndaj thatësirës dhe acarimit duke prodhuar më shumë akne. Kështu, teksa mundoheni të mbuloni dhe mbyllni njërën akne, hapni kushedi sa e sa të tjera.”
Por nëse pasta e dhëmbëve është opsioni juaj i vetëm (po supozojmë) të paktën sigurohuni që formula të mos ketë zbardhues shtesë apo ngjyrues për të shmangur sa më shumë irritimin.
Përkthyer nga Women’s Health