Dje, dizajnerja Kate Spade u nda nga jeta në apartamentin e saj në New York. Trupin e pajetë e gjeti shërbëtorja dhe sipas raportit të policisë, u vetëvar. Shërbëtorja nxitoi dhe thirri administratorin e ndërtesës, i cili e uli trupin poshtë dhe filloi t’i jepte ndihmën e parë, por ishte shumë vonë.
Kate Spade ishte 55 vjeçe, e martuar me Andy Spade dhe kishte një vajzë të vetme, Francis Beatrice Spade, 13 vjeçe. Në raportimet e para të ngjarjes shkruhej se dizajnerja la pas një letër për të bijën dhe së fundi u zbulua ç’shkruhej: “Bea – të kam dashur gjithmonë. Nuk është faji yt. Pyet babin.”
Sipas motrës së saj, Reta Saffo, dizajnerja kishte tre – katër vite që vuante nga një sëmundje e rëndë mendore dhe e kuronte veten me alkool. Saffo tentoi disa herë ta trajtonte, ta fuste në qendra rehabilitimi, por Kate nuk pranonte sepse mendonte se do të ndikonte keq në imazhin e brandit të saj.
Kate Spade e nisi karrierën e saj në revistën Mademoiselle dhe kur arriti në poste të rëndësishme si editore e vjetër mode, la punën në revistë për të nisur firmën e saj të çantave dhe aksesorëve në bashkëpunim me të shoqin, Andy Spade.
Firma me emrin Kate Spade u themelua në 1993-shin dhe ajo me Andy-n u martuan në 1994-n. Asokohe prodhonin vetëm çanta, ndërsa me kalimin e viteve u zgjeruan në bizhuteri, këpucë, veshje, syze, parfume, dekor për shtëpinë, etj.
Kate ia shiti aksionet e saj kompanisë Neiman Marcus në 2006-n. Kompania zotëronte tashmë shumicën dhe me aksionet e Kate u kthye në pronar të vetëm. Nga Neiman Marcus, brandi Kate Spade iu shit Coach në 2017-n për $2.4 miliardë. Sigurisht, Kate nuk mori asnjë qindarkë pasi nuk zotëronte më asgjë nga kompania që themeloi vetë.
Për gratë amerikane, çantat Kate Spade mbartin një kuptim të veçantë. Janë aksesori i parë relativisht i shtrenjtë që blejnë kur ndihen gati për të bërë kalimin nga vajzë në grua. Me një çantë Kate Spade në dorë, nisen të pushtojnë botën. Lajmi i vdekjes së dizajneres ikonike hidhëroi shumë fansa, njerëz të njohur e të të panjohur.
Dizajnet e Kate Spade ishin të thjeshta, linja të qarta, të strukturuara, ngjyra të plota dhe detaje minimaliste. Në emisionin radiofonik How I Built This i NPR, Andy dhe Kate Spade treguan se nxorrën në treg këto lloje çantash sepse në treg mungonin. Në fillim të viteve ’90 vështirë se mund të gjeje një dizajn të thjeshtë që i ngjasonte një kutie.
Në 2016-n, Kate Spade themeloi një tjetër firmë të quajtur Frances Valentine të fokusuar tek çantat dhe këpucët.