Ditën e sotme, në një intervistë te “Rudina”, Albatros Rexhaj tregoi se problemet shëndetësore kishin qenë arsyeja përse shkrimtari prej kohësh ishte tërhequr nga jeta publike.
“Unë jam tërhequr pak sepse jam duke kaluar një fazë jo të mirë të jetës sime, jo të lehtë dhe kam nevojë t’i përkushtohem vetes. Dua t’i kushtoj rëndësi vetes si në aspektin mendor, por edhe në atë fizik. Kam nevojë t’i përkushtohem rehabilitimit tim, po e them troç, me shpresën që gjërat të mos përfundojnë si herën e kaluar.
Albatrosi tregoi se ajo çka i ndodhi vite më parë i ndryshoi tërësisht mënyrën e të konceptuarit të jetës.
“Para 5-6 vitesh kam përjetuar një vdekje klinike dhe ai ka qenë një moment kthese në jetën time. Vdekja klinike ka ndodhur gjatë një trajtimi shëndetësor, pata komplikime, situata doli jashtë kontrollit dhe mjekët kanë luftuar 6 orë për jetën time. Në më pak se një minutë kam qenë pa shenja jete dhe ky moment mua më ka ndryshuar si njeri. Para kësaj situate kam patur plane të tjera për jetën, kam patur pasion politikën, kam dashur biznesin, kam dashur të fitoj para. Kam qenë tip agresiv dhe gangster i vogël, por ky moment mua më ndryshoi si njeri. Kur i kujtoj ato sekonda, kur e kam ndjerë veten që po shkoj kam thënë: O Zot kam edhe disa gjëra pa bërë. Kjo ishte fjala ime e fundit. E mbaj mend. Është ai çasti kur humb frikën. Pas atij momenti kam bërë gjërat që gjithmonë kam dashur të bëj. Nisa të shkruaj sepse e kisha lënë pas dore, nisa të merrem me kërcim, kurrë s’kam ditur të kërcej, të merrem me këndim, të dëfrehem e të dal. Të gjitha këto gjëra i kisha lënë me idenë e një momenti tjetër. Jam nga ato njerëz që kur më kap dëshira të bëj diçka ngrihem dhe e bëj. Ne të gjithë themi se jeta është e bukur, por përse nuk po e jetojmë jetën e bukur?”
Nisur nga çfarë i ka ndodhur, Rexhaj tha se ka nisur të shkruajë testamentin artistik ku do të trajtojë tema, që siç ai beson, janë esenciale për jetën.
“Janë disa mendime të miat për disa gjëra që unë nuk kam folur. Ky është plani im tani, do t’i shkruaj të gjitha këto, por nuk do t’i publikoj si libër. Dua që njerëzit t’i lexojnë dhe të reflektojnë mbi ato mendime. E kam shumë të domosdoshme ta bëj këtë, sepse disa gjëra unë i kam neglizhuar. Ky është një testament artistik ose personal, merreni si të doni. Por unë kam nevojë ta them dhe ta shkruaj. Ndonjëherë gjërat nuk përfundojnë ashtu siç i mendojmë ne, por kjo është gjëja e radhës në të cilën unë do të përfshihem. Pastaj nëse kemi jetë dhe jemi mirë kam ndërmend të shkruaj dhe t’i bëj njerëzit disa të lumtur dhe disa nervozë. Nëse gjërat në jetë do të jenë mirë, unë nuk kam ndërmend të ndalem, por si shkrimtar e kam privilegjin të punoj deri në fund. Unë kam filluar t’i shkruaj këto letra dhe janë tema për gjëra që unë i konsideroj esenciale në jetë.”