Është hera e parë që reperi shqiptaro-amerikan vjen në Kosovë pasi do të performojë për Sunny Hill Festival. Në konferencën e organizuar ai foli pak edhe për origjinën e tij dhe i pyetur nga Klan Kosova si u ndje për golat e Xhakës dhe Shaqirit kundër Serbisë, u përgjigj kështu.
“Kudo që shkoj e tregoj origjinën time. U ndjeva shumë krenar kur simboli i shqiponjës u vendos në Rusi nga futbollistët Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Kam qarë, sinqerisht. Ishte një moment i mrekullueshëm pasi Shaqiri shënoi në minutën e fundit dhe kjo ishte tejet e rëndësishme për ne.”
Action Bronson njihet si reperi i koncerteve të çmendura, i fiksuar gjithashtu pas kuzhinës, për të cilën është vënë në drejtim të emisionit “F*ck, That’s Delicious”, ku tregon aventurat e tij në eksplorimin e botës së kulinarisë, të kombinuar me pasionin për muzikën.
Emri i vërtetë i tij është Arian Asllani, i cili u lind dhe rrit në Queens, New York ; babai është emigrant shqiptar nga Gjilani, ndërsa nëna një njujorkeze hebreje. Ariani ka kënduar në krah të Kendrick Lamar dhe J.Cole në koncertet e Eminem-it në Australi dhe Zelandën e re.