Besojmë se të gjithë e njihni Batman-in, por këtë herë do të jetë një Batwoman, e para superheroinë lesbike në rol kryesor! Përmes një postimi në Twitter, CW Network njoftoi se Ruby Rose është e përzgjedhura e tyre për të luajtur rolin e Batwoman në seritë e ardhshme televizive në dhjetor të këtij viti.
Ruby Rose is Batwoman, coming to The CW’s crossover event this December! pic.twitter.com/ibZS15Cq7X
— Arrow (@CW_Arrow) August 7, 2018
Aktorja 32-vjeçare konfirmoi lajmin përmes një deklarate në Instagram duke thënë se “Lakuriqi i natës është më në fund jashtë qeses dhe jam kaq e pushtuar dhe e nderuar”.
“Jam në një rrëmujë emocionale, sepse kjo është një ëndërr e fëmijërisë. Është diçka për të cilën do kisha dhënë jetën për ta parë në TV kur isha e re dhe pjesë e komunitetit LGBT, që kurrë nuk u ndje i përfaqësuar në televizion. Faleminderit të gjithëve. Faleminderit, Zot!”
Në vitin 2015, pas rolit të saj si Stella Carlin në serialin e Netflix, “Orange Is the New Black”, Rose foli hapur për gjininë e saj në një intervistë për “Elle”.
“Përfundimisht nuk identikohem me asnjë gjini. Nuk jam një mashkull, nuk ndihem as femër, por patjetër që kam lindur si e tillë. Kështu që jam diku në mes, që sipas imagjinatës sime perfekte, është të kesh më të mirat e secilit seks.”
Ajo spikati menjëherë në ekran, jo për shkak të skenave lesbike, pasi Hollywood-i ka kohë që eksperimenton me to, as për faktin që ishte gay, pasi emra si Ellen DeGeneres janë përqafuar nga miliona gra e burra heteroseksualë, që e duan dhe qeshin pafund me humorin e saj, por ndoshta për shkak të fytyrës alla Meghan Fox, tatuazheve në trupin e imët, prerjen e flokëve si Justin Bieber, e gatshme për t’u futur në fantazitë e heteroseksualëve, e padyshim edhe për shkak të talentit në aktrim.