Prindërit e Princeshës Mako të Japonisë thanë se martesa e saj me të fejuarin shtyhet deri në momentin kur vjehrra të zgjidhë problemet financiare.
Mako, mbesa e madhe e Perandor Akihito, shokoi opinionin publik kur deklaroi fejesën me Kei Komuro, një avokat 26-vjeçar me të cilin ishte njohur kur studionte në Tokio.
Princesha, që si gjithë gratë mbretërore heq dorë nga statusi kur martohet me një qytetar të zakontë, e kishte planifikuar dasmën për nëntorin e këtij viti. Papritur, në shkurt, dasma u shty deri më 2020-n.
Çifti tha se kishin nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur dhe për t’u menduar më thellë për martesën. Gjithashtu, njerëzit ishin të shqetësuar se mos dasma e Mako-s do të linte në hije abdikimin nga froni të Perandorit.
Perandori 84-vjeçar do të zëvvendësohet nga i biri, Princi i Kurorës Naruhito.
“Arritëm në përfundimin se s’kemi mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur siç duhet për dasmën dhe jetën tonë pas saj,” tha Mako në një deklaratë para pak muajsh. “Besojmë se jemi nxituar.”
Mediat japoneze nga ana tjetër raportojnë se prindërit e Makos, Princi Akishino dhe Princesha Kiko, janë shqetësuar shumë nga fakti se nëna e dhëndrit s’ka shlyer ende një hua që mori nga një prej ish partnerëve të saj për të mbuluar shkollimin e djalit.
Prindërit e Makos u thanë vjehrrëve në fytyrë disa herë se dasma nuk do të mbahet, nëse nuk shlyejnë huanë.
Ekziston dhe frika se mos çifti kritikohet për vlerën prej $900,000 që Mako do të marrë nga qeveria për t’u përshtatur me jetën si qytetare e thjeshtë.
Burimi: The Guardian