Kur përfundoi Top Arena, pak javë më parë, Fjoralba Ponari u vu përballë Edi Manushit në një raund pyetjesh. Manushi tha se aty i dha duart “Procesit Sportiv”, por jo Top Channel-it. Bashkë me Fjoralbën, Manushi do të moderojë një emision të dielave, për të cilin s’dihej asgjë deri më tani.
Në një seri pyetje përgjigjesh në Instagram, siç po ndodh rëndom së fundi, Fjoralba tha se sezonin e ri do të prezantojë “një program që ka pak nga të gjitha. Edhe thashetheme, edhe lojëra, sport, edhe të qeshura e të qara.”
Sezoni i ri për Fjoralbën dhe Manushin nis në tetor. Në faqen e Top Channel paralajmërohet rinisja e “Procesit Sportiv”, një emisioni mjekësor të quajtur “Hipokrati”, rikthimi i “Top Story” dhe largimi i “Të paekspozuarit” nga lista e programacionit. Nuk thuhet asgjë për programin e ri të dielave.