Rreth 5 vite më parë, 31-vjeçarja Vilma Dule u sulmua me acid teksa dilte nga shtëpia për të shkuar në punë. Atë kohë menazhere e burimeve njerëzore pranë një call center në Tiranë, Vilmës iu hodh acid në fytyrë dhe trup, që i shkaktoi dëmtime serioze në lëkurë. Asokohe në polici u shoqëruan rreth 13 persona të dyshuar për sulmin (ende asnjë i dënuar), ndërkohë që Vilma përballej në spitalën e Traumës me ferrin vetë.
Mirëpo ajo nuk u dorëzua, paçka se nuk e pati të lehtë. Dita-ditës, pasi mori veten nga dëmtimi që për pak i mori jetën, Vilma Dule u kthye në protagonisten e një historie guximi, dashurie për veten, që frymëzoi me mijëra ndjekës.
“Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë” shkruante ajo një vit më parë në historinë e publikuar në Facebook, të cilën mund ta lexoni të plotë duke klikuar këtu.
Në një intervistë të gjatë me gazetarin Andrea Dangli, Vilma rrëfen të tjera detaje nga ngjarja makabre, të panjohura më parë.
“Nga ajo ditë mund të them se çdo qelisë e jetës sime ka ndryshuar. Kujtimi i sulmit dhe i dhimbjes është ende shumë i gjallë. Madje sa herë mbyll sytë më shfaqet përpara çdo moment dhe më trazon pa reshtur. Edhe tani nëse do provoj të mbyll qepallat, më vijnë imazhe nga momenti kur një i ri më sulmoi poshtë pallatit, më vjen koha tek spitali i Traumës që ishte një rreth ferri më vete, më shfaqet vetja kur e kam parë në pasqyrë pas ngjarjes dhe… pastaj kujtoj lot që derdheshin deri në mekje. Acidi të transformon në një mënyrë që s’mund ta përshkruaj me fjalë. Ai nisi të më gërryejë lëkurën dhe shpirtin, ashtu siç bën mola kur shkatërron një copë druri. Prej atij momenti i premtova vetes vetëm tre gjëra: S’ka vend për lot, s’ka dëshpërim dhe s’ka mëshirë”, kujton ajo.
Më pas vazhdon duke treguar me sinqeritet sesi ja doli ta donte pamjen e re, pavarësisht se gjithçka ishte tmerrsisht e vështirë.
"Besoj se jeta e çdokujt mund të ndryshojë për një sekondë të vetme. Arsye e fortë për të jetuar në të tashmen dhe mos të ushqehemi me dilemat e së djeshmes. Këtë e mësova nga dëshira për të mos i dhënë më tepër kënaqësi të më shohin si viktimë ata që më sulmuan. Përkundrazi, ngjarja u shndërrua në një motiv që të rikisha një fytyre normale e cila pavarësisht shenjave do vazhdonte të buzëqeshte. Një fytyrë që të mos më kujtonte urrejtjen dhe zilinë e tyre, por të dëshmonte forcën dhe kurajën time. Dhe kjo është fytyra që unë kam sot. S’është perfekt, por unë e dua si një nënë fëmijën e saj në mënyrë të pakushtëzuar.”
Ndër të tjera, Vilma ka hedhur bazat e një organizate që po pranohet nga disa vende të BE-së duke apeluar që acidi të konsiderohet si armë në legjislacion dhe të ketë kufizim në blerjen e tij.
Kjo ishte një pjesë e intervistës e botuar në Gazeta “Tema”, të cilën mund ta lexoni të plotë për më shumë hollësi duke klikuar këtu.