Një bibliotekë e bukur, me dritë, e bardhë dhe e ngrohtë, na bëri kuriozë për bibliotekat apo këndet me libra të shqiptarëve. Në Facebook-un e Anabel erdhën disa foto, të cilat duhet t’i shihni me patjetër në rast se nuk keni ende një kënd librash, sado i vogël qoftë ai.
“Kjo është biblioteka ime Anabel. Nuk është e madhe, por jam e lumtur që i sistemova pas kaq kohësh, se nuk bëhesha mbarë për t’u gjetur një hapësirë të hajrit. Kam edhe shumë tek shtëpia e prindërve të mi. Janë aksesori më i bukur për mua.”
“Unë studioj për marrëdhënie ndërkombëtare në Itali dhe këtë bibliotekën ma ndërtoi i dashuri im, për ditëlindje. Ka qenë dhurata më e bukur. Isha në Shqipëri në atë kohë dhe kur u ktheva e gjeta kështu.”- shkruan dikush për të DASHURIN PERFEKT.
"Unë jetoj jashtë dhe këndin me libra e kam në Shqipëri, POR po ju dërgoj dy fotot e mia të preferuara. Sa herë nis një libër, sigurohem ta fotografoj sa më mirë të mundem."
“Kjo është biblioteka ime. Jam studente dhe punoj me kohë të pjesshme jashtë Shqipërisë, fitimi është i pakët ndaj nuk mund ta përdor për të blerë libra, sepse ka gjithmonë diçka më urgjente për t’u paguar. Sidoqoftë, bibliotekat këtu janë fantastike dhe mund të gjesh çfarëdo libri të duash, me raste edhe në gjuhën që do.”
Dikush ka kohë që investon në libra,
dikush sapo ka zbuluar dashurinë për ta,
ndërkohë që një tjetër mezi pret Panairin e Librit në Tiranë.
Po ju, sa krenarë ndiheni për raftin tuaj?!