Jeni kuriozë të dini si e kalon të dielën Capital T? S’ka rëndësi. Reperi postoi para pak minutash vlogun e tij të parë për “të qenë më afër njerëzve gjatë një dite të thjeshtë, po edhe gjatë proceseve të tjera të punës, në muzikë, etj.” Capital T ka munguar në media së fundi dhe vendosi të kthehet transparent përmes mënyrës “më pa filtra” në internet: një vlogu në brendinë e shtëpisë së tij.
Në gjashtë minuta, reperi tregon rutinën e të dielës. Sigurisht, ai zgjohet me 2Pac në sfond, lan dhëmbët me 2Pac në sfond, përgatit një kafe, të cilën e pi në verandë duke kontrolluar celularin dhe më pas i drejtohet kuzhinës për të përgatitur mëngjesin. Mëngjesi ka nevojë për plot tetë të verdha vezësh. Tetë.
“Kush është vlogeri më i fortë në Shqipëri, të më thotë. Bëjmë një vlog bashkë,” thotë Capital teksa rreh numrin shqetësues të të verdhave të vezëve. “Edhe i mësoj si bëhen vlogjet tamam.”
Sapo gatuhen vezët, Capital i hedh në pjatë, shton bukë, merr ujë, ulet në tavolinë... dhe kaq. Kaq ishte.
Capital T është i dyti personazh publik që vendos të “vijë më pranë njeriut të thjeshtë” me video në YouTube. Lori Hoxha hasi shumë sukses me videot rreth dasmës së Sara Hoxhës dhe Ledion Liços. Ndoshta suksesi ishte rrjedhim i kontentit, ndoshta i emrit të Lorit e ndoshta të dyjave.
Capital T nga ana tjetër, për mendimin tim modest, le të heqë dorë nga segmentet e përshpejtuara (a është e nevojshme vërtet të shoh 30 sekonda rrahje vezësh? Jo, nuk është), le t’i thotë kameramanit ta mbajë kamerën drejt dhe le të tregojë diçka më shumë. Pastaj të na mësojë si bëhen vlogjet tamam. Ca gjëra vijnë me përvojën.