Shqipëria

Prapaskenat e intervistës shokuese të Xhisiela Malokut

2 Tetor 2018

Prapaskenat e intervistës shokuese të Xhisiela Malokut

Dje, Xhisiela Maloku shokoi gjithë opinionin publik me përgënjeshtrimin e gjithçkaje në një intervistë me Eni Vasilin, në “Open”. Ajo mohoi çdo gjë, tha që nuk është përdhunuar, nuk është rrahur. Shenjat në trup i justifikoi me një aksident dhe djegiet nga cigaret, tha se ia kishte shkaktuar vetë vetes.

Intervista u regjistrua të dielën, në Durrës. Xhisiela tha se erdhi aty vetë, me taksi, ndërsa gazetaret Vasili dhe Anila Hoxha e panë në një makinë të panjohur e shoqëruar nga disa burra. “Le ta themi kush e shoqëronte Xhisielën kur erdhi të bënte intervistën. Kur e pyetëm me çfarë kishte ardhur, ajo tha ‘me taksi’, por gënjeu. Ne e pamë kush e solli me makinë, e pamë dhe kush e shoqëronte. Ne e dimë kush ishin ata persona,” tha Anila Hoxha dje në “Open”.

Pak momente pas transmetimit të intervistës në Top Channel, Xhisiela u shfaq live në “Opinion” ku tha se intervista ishte manipuluar dhe e montuar. Eni Vasili nga ana tjetër, tha se “është përpjekur të bëjë një intervistë profesionale.”

“Vetëm nëpërmjet të të vërtetës Xhisiela shpëtohet. Unë dëshmoj që gjithë ç’u transmetua është e pamanipuluar,” tha Vasili në “Open”. “Më vonë, na ka marrë në telefon dhe na ka kërkuar që ta tërhiqnim intervistën. Publiku do të kuptojë shumë përmes kësaj interviste. Në mbyllje, i kam thënë që për çdo gjë që të ketë nevojë, numrin tim të telefonit e ka.”

Në fjalët e Xhisielës, intervista në “Opinion” ishte e fundit. “Nuk dua të bëj publike jetët e të gjithëve rreth meje,” tha ajo.