Dje, Dritan Hoxha do të festonte përvjetorin e 50- të. Në nder të tij, familja Hoxha dhe i gjithë televizioni i Top Channel- it festuan ditëlindjen si dhe inaguruan Studio Nova, një hapësirë gjigante që do të shërbejë si studio për rreth 20 programe të këtij sezoni televiziv dhe jo vetëm.
Festa e organizuar për hapjen e këtij investimi u bë në një ditë të shënuar për gjithë Top Channel- in.
Sigurisht nuk mund të mungonte fjala e Vjollca Hoxhës, Presidentes së Top Media- s.
“16 tetori është dita që përkujtojmë themeluesin e familjes sonë të dytë. Dhe festën për nisjen e një sezoni të ri televiziv. Ky vit përkon me 50 vjetorin e Tanit dhe puna në Top Channel vazhdon me ritmet e tij duke u rritur, ndaj jemi në studion më të re që i shtohet televizionit dhe me shumë programe të reja që kanë dalë dhe do dalin së shpejti në transmetim. Ky sezon na gjen sërish në punë për të vazhduar të jemi më të mirët dhe kjo falë punës vetëmohuese të secilit prej jush."
Më tutje Hoxha vazhdon:
"Sigurisht që shumë gjëra ndryshojnë sepse Shqipëria nuk është më ajo e 10 viteve apo 15 viteve më parë. Shumica prej jush ka një jetë brenda këtij televizioni; kanë kaluar më shumë kohë këtu se sa ne familjet e tyre. Kjo vjeshtë disa prej nesh i gjen duke kërkuar veten diku tjetër, të tjerët janë rikthyer në Top. Vitet kanë treguar që Topi është Topi pavarësisht gjithçkaje. Dhe unë ju jam shumë mirënjohëse të gjithë atyre që qëndrojnë besnikë ndaj Top Channel. Të festojmë dhe gëzojmë ashtu siç vetëm stafi ynë di ta bëjë. Faleminderit dhe shumë suksese për sezonin e ri. Faleminderit!”
Burimi: Top Channel