Showbiz dhe TV

‘Lutesha të vdisja i pari’: Mentor Haziri rrëfen tmerrin e përjetuar gjatë luftës në Kosovë

18 Tetor 2018

‘Lutesha të vdisja i pari’: Mentor Haziri rrëfen tmerrin e

Ditën e sotme i ftuar tek “Rudina” ishte këngëtari i njohur nga Kosova, Mentor Haziri. Në studion e këtij emisioni ai ka treguar përjetimin e tij në ngjarjet e luftës së Kosovës.

Ai ka ndarë me teleshikuesit një ndodhi personale të asaj kohe, duke treguar momentin në të cilin ai dhe 500 persona të tjerë ishin rrethuar në mal nga ushtria serbe që donte t’i ekzekutonte.

"Në kohën e luftës kur filluan bombardimet ne ikëm në një fshat në Kosovë dhe 2 javë më vonë filluan të na sulmojnë forcat serbe. Në orën 08:00 të mëngjesit kemi dalë 500 veta në mal dhe aty na kanë kapur të gjithëve, na kanë mbajtur disa orë dhe na kanë plaçkitur. Më pas na vunë në rend për të na vrarë, ndanë burrat veç dhe gratë veç dhe prisnin urdhër për të na vrarë. Është histori shumë e dhimbshme. Në ato momente ajo çfarë mendon një njeri është që të vdesë i pari që të mos shohë se çfarë do të ndodhë. Lutesha të vdisja i pari. Por 500 veta nuk mundën të na vrasin, sepse do të ishte masakër e madhe, nuk morën urdhër për të na vrarë. Na nxorrën në autostradë dhe aty unë jam ndarë nga familja ime. Mua më kanë ngritur në tren dhe kam qëndruar për një muaj në Maqedoni dhe kam punuar për refugjatë të tjerë. Deri kur është çliruar Kosova nuk kam patur asnjë kontakt me familjen time dhe nuk kam ditur asgjë për ta,” ka treguar Mentori.

Kjo është vetëm një nga historitë e tmerrshme të përjetuara nga populli i Kosovës gjatë periudhës së luftës. Dy ditë më parë në një tjetër artikull në ju njohëm me historinë e një gruaje që për herë të parë rrëfeu me zë dhe figurë se si dy ushtarë serbë e kishin përdhunuar kur ajo kishte qenë në moshën 16- vjeçare.

‘Lutesha të vdisja i pari’: Mentor Haziri rrëfen tmerrin e