Celebrity

Gjithë mediat britanike kundër një emri: Meghan Markle!

28 Nëntor 2018

Gjithë mediat britanike kundër një emri: Meghan Markle!

Kanë kaluar afërsisht gjashtë muaj që nga dasma e princit Harry dhe Meghan Markle-it, të cilën shtypi britanik e cilësoi si një përrallë moderne dhe tejet progresive.

Mirëpo tani, të njëjtat media po kthehen kundër tyre, ose më saktë kundër nuses.

Gjatë javëve të fundit, dukesha e Sussex-it ka qenë tema kryesore e të ashtuquajturëve “të brendshmit e oborrit”, “oborrtarët”, “miqtë e familjes” etj. Andej-këtej, ajo përshkruhet si shefja e keqe që e ka të vështirë të përshtatet me stafin e saj.

Ndër të tjera, për Harry-n flitet se u ka thënë punonjësve para dasmës: “Meghan do të marrë çdo gjë që kërkon.”

Shpesh herë është raportuar edhe se mbretëresha është e pakënaqur me kërkesat e nuses, ku përmendim këtu dëshirën e Meghan-it për të mbajtur ditën e dasmës diademin me gurë smeraldi.

Ekziston një përpjekje e dukshme për t’u përqëndruar tek “Meghan-i e keqe”: Meghan nuk është mbretërorja e parë që kritikohet dhe vendoset në shënjestrën e tabloidëve. Lady Diana u adhurua dhe u kritikua deri në ditën e fundit të jetës; Sarah, dukesha e York-ut, është portretizuar deri në ditët e sotme jo si shumë e përshtatshme; Kate gjithashtu nuk i përkiste aristokratëve, por shtresës së mesme etj.

Por me Meghan-in duket se gjërat janë paksa ndryshe. Fakti që ajo është amerikane dhe ka qenë një yll i Hollywood-it, shtoi magjepsjen e njerëzve kundrejt dasmës së famshme. Tani, sfondi i jetës së saj po përdoret kundër saj. A thua se kurrë më parë një anëtar i familjes mbretërore nuk ka kërkuar të ketë një diademë të caktuar.

Edhe nëse ka një grimcë të vërtete në gjithë këto histori, duhet thënë se ka përherë situata stresuese nuse-vjehrrë-dhëndër. E kur bëhet fjalë për një martesë të cilën e panë më shumë se 2 miliardë njerëz, sigurisht që gjërat do të hiperbolizohen.

Meghan nuk ishte dakord me veshjen e Kate-it dhe princeshës Charlotte në dasmë, por a nuk meriton kjo gjë mirëkuptim? Nëse Kate ka qarë pas kësaj situate, a mos ndoshta ndodhi sepse sapo ishte bërë nënë për herë të tretë dhe ndikoi gjendja emocionale? Nëse Harry është revoltuar duke thënë se Meghan do të marrë çfarë të ketë dëshirë, a nuk duhet kuptuar si dëshira e një burri që gjërat të shkojnë mirë?

Dukshëm, këto lajme negative nisën fill sapo Meghan dhe Harry bënë me dije se do të bëheshin prindër. Meghan është e paaftë të mbrojë veten publikisht, pasi nuk mund t’u kundërpërgjigjet “armiqve” anonimë. Ajo është një ndër anëtarët më të preferuar të oborrit mbretëror.

Kështu që, për interesa të ndryshme, që në thelb nuk kanë lidhje me Meghan-in, shtypi duhet të shkruajë për një princeshë që nuk meriton përrallën ku po jeton.

Shkruar nga gazetarja Jane Merrick, ish-redaktore politike në “The Independent”; përshtatur nga redaksia*.