I ftuar tek “E diela shqiptare”, Joni Peci foli si rrallëherë për jetën e tij private dhe veçanërisht për fëmijërinë. Stilisti zbuloi një anë të dhimbshme të së shkuarës, të pazbuluar më parë.
Peci tregoi se si familja iu internua kur ai ishte vetëm 4 vjeç.
“Familja ime ka qenë kundër sistemit. Ne na internuan. Është një moment shumë i vështirë... Atë ditë gjyshi ishte larguar për të na blerë simite dhe mami më nxori prej dore deri tek rrugica që më pas të takoja gjyshin për të shkuar në kopsht. Në një moment shikoj një makinë dhe dy policë që vijnë e marrin mamin, por unë nuk e kuptova. Erdhi gjyshi dhe e kuptoi situatën. Ai më çoi në kopsht. Prisja në dritare tek kopshti të vinte të më merrte mami.”
Gjatë rrëfimit emocionues, Joni tha se kur u kthye nga kopshti pa një kamion që po u merrte plaçkat. Po kështu, Peci ndau me publikun një tjetër detaj; vëllai i vogël i Jonit lindi në vendin ku familjarët u internuan.