Sot, “Portokalli” mblodhi gjithë moderatorët e Top Channel dhe përballi – deri tani – dy personazhe të imituar me imituesit e tyre. Në fillim të mbrëmjes, pamë Renato Mekollin që u vu përballë shef Refortit, një duel që përfundoi sigurisht me thyerje pjatash.
Pak më parë, Ylli Baka u përball me personazhin e ndërtuar mbi figurën e tij, Ylvi Bakërin, luajtur nga Gaz Paja. Pasi Baka performoi dy këngë, nga radhët e publikut vjen Bakëri. “Si këndokam unë këtu, pa qenë unë këtu” pyet ky i fundit.
Baka dhe Bakëri thumbojnë nga pak njëri-tjetrin. Baka kërkon një ndjesë nga ana e Bakërit sepse ka kënduar këngët e tij pa leje dhe mesa duket, i ka deformuar. Në tetor, këngëtari i muzikës popullore tha se nuk i erdhi keq për imitimin, por do të donte që Paja të mos e trashte aq shumë.
Dyshja vendos të zgjidhë konfliktin përmes një dueti me këngë të Bakës dhe ashtu ndodhi. Në fund, ikën të pinë një kafe. Si mund të merrte fund ndryshe një debat i tillë.