Nëse keni ëndërruar tërë jetën për një shtëpi të këndshme në një ishull me diell, kemi një ofertë për ju. Edhe nëse s’keni ëndrruar diçka të tillë, por keni lekë nëpër duar, e njëjta ofertë vlen edhe për ju gjithashtu.
Sambuca di Sicilia është një qytezë e vogël në provincën Agrigento në Siçili. Në 2016-n, u shpall qyteti më i bukur në Itali. Ka rreth 6,000 banorë, por ky numër është zvogëluar nga viti në vit si pasojë e shpërnguljes së popullsisë në qytetet më të mëdha aty pranë. Prandaj, kryebashkiaku i Sambuca, Leonardo Ciaccio, vendosi të marrë pjesë në iniciativën Shtëpi për €1 dhe nxorri për shitje rreth 20 shtëpi bosh nga 40 deri në 150 metra katrorë për çmimin simbolik prej një euro (124 lekë).
Në vitin 2018, qyteti i Ollolai në ishullin e Sardenjës bëri të njëjtën gjë. Këtë herë, administrata publike zotëron gjithë shtëpitë e nxjerra për shitje dhe do të kujdeset vetë për transaksionin. Pra, administrata nuk do të veprojë si ndërmjetës mes shitësit dhe blerësit dhe kjo do të thotë që kalimi i pronësisë do të jetë më i lehtë dhe siguria është më e lartë për blerësit.
Sigurisht, ka disa kushte. Blerësit e interesuar duhet të depozitojnë €5,000 dhe të nisin rinovimet në shtëpitë e përzgjedhura. Në fund të rinovimeve, blerësi merr mbrapsh shumën e depozituar. Nëse jeni të dhënë pas qytezave të vogla dhe historisë që mbartin, ky është investimi ideal për ju. Sambuca është e pasur me atraksione turistike me origjinë romake dhe arabe, kisha të shumta dhe ka një qendër historike mbresëlënëse.
Oferta vlen për këdo, kudo dhe kryebashkiaku ju fton të “vizitoni Sambuca-n dhe ta dëshmoni në vetë të parë bukurinë e qytezës. Gjithashtu, është krijuar një ekip që u përgjigjet të interesuarve.
Këtu gjeni një listë të shtëpive në shitje dhe rregullat e shitblerjes.