Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dekoroi ditën e djeshme artistin Sabri Fejzullahu me Medaljen Presidenciale të Meritave.
“Gati tërë jetën e tij Sabriu na ka argëtuar me këngën dhe humorin e tij. Na ka treguar bukuritë e jetës, por edhe na ka bërë të mendojmë për detyrat dhe obligimet [detyrimet] për shoqërinë tonë.” lajmëroi Thaçi përmes një postimi në Facebook.
Disa orë më vonë, këngëtari Blero Muharremi nuk e kurseu një kritikë në Insta Story drejt institucioneve përkatëse.
“Legjendë e gjallë Sabriano. Mirë që u vetëdijësuan edhe këta për një mirënjohje të tillë. Në fakt ti nuk ke nevojë për mirënjohje të tilla, vet populli ta ka dhënë ty mirënjohjen që nga dita e parë!” shkruan Blero.
Sabri Fejzullahu numëron dekada të tëra suksesi e fame, si përsa i përket muzikës ashtu edhe aktrimit. Ju kujtojmë se artisti ka luajtur në disa filma, TV- komedi si “Qesh e ngjesh” apo serialet “Kur pranvera vonohet” e “Autobusi”.
Po kështu ka fituar 18 “Okarina të Arta” në “Akordet e Kosovës” dhe ka regjistruar 800 këngë (plot 14 albume).