Vera Ora – Sahatçiu u shfaq në emisionin Loose Women ku diskutoi për betejën e saj me kancerin e gjirit. Ajo shpjegoi se sa e vështirë ishte të përballoje një situatë të tillë dhe ndërkohë të kujdeseshe për tri fëmijë në një vend të huaj.
“Gjithë ç’përjetova ishte me të vërtetë e vështirë. Trajtimi ishte shumë intensiv dhe i gjatë. Bëra kimioterapi, radioterapi dhe mastectomy (termi mjekësor për heqjen kirurgjikale të një ose dy gjinjve, pjesërisht ose tërësisht). Ishte vërtet e vështirë të lëvizje në një vend tjetër. As që flisja fare anglisht ndërkohë që në vendlindje kisha një karrierë të shkëlqyer.”
Rreth një javë më parë, Vera Ora postoi një foto në Instagram teksa ushqente me qumësht gjiri të birin, Donin.
“Një kujtim i çmuar teksa ushqej me gji të voglin tim. Jeta ishte e paparashikueshme pasi u diagnostikova me kancer në gji një vit më vonë, gjeta një gungë në të njëjtin gji, gjë që solli terapi dhe kirurgji. Ndenjat sot janë të përziera, por ndihem krenare që gjiri im shërbeu për qëllimin e vërtetë.”
Ndërkohë Rita Ora surprizoi të ëmën përmes një video-mesazhi ku tregon për vështirësitë e një situatë të tillë.
“Isha diku tek 13-14 vjeç kur kuptova që nëna ime ishte e prekur nga kanceri i gjirit. Arrija ta kuptoja sa e vështirë ishte për atë që të rriste 3 fëmijë, të shpërnguleshin nga Kosova në Mbretërinë e Bashkuar, të mos dinim gjuhën.”
Momentalisht, Vera Ora është ambasadore e fondacionit Future Dreams, që përpiqet të ndihmojë dhe frymëzojë gratë që janë të prekura nga kanceri i gjirit. Ajo po bashkëpunon me Amoena Company për të sjellë një linjë rroba banjosh, që synon të ndihmojë gratë të rifitojnë besimin para/gjatë trajtimit kundër kancerit.
[Për informacion shtesë]
Cilat gra janë të rrezikuara nga kanceri i gjirit: Kanceri i gjirit mund të prekë çdo grua, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, megjithëse mund të preken edhe ato në moshë të re.
Faktorët që rrisin shanset për t’u prekur nga kanceri i gjirit:
- fillimi i hershëm i menstruacioneve
- shtatzënitë në moshë të madhe
- mbipesha pas menopauzës
- konsumimi i alkoolit dhe duhanit
- mungesa e aktivitetit fizik
- gjenetika (nëse ka patur paraardhës të prekur nga kjo sëmundje) etj.
Cilat janë shenjat:
- gjëndër/kokërr nën gji ose tek zona e sqetullës (jo çdo gjëndër është kancer!)
- ënjtje e gjoksit
- plagë, skuqje, irritim të gjoksit
- rrjedhje nga gjiri, përfshirë këtu edhe gjak
- dhimbje
- fryrje e gjoksit vetëm në njërën anë
Përgjithësisht kanceri i gjirit identifikohet me shfaqjen e gjëndrës, megjithatë janë disa shenja të tjera, zakonisht shfaqen para gjëndrës, të cilat paralajmërojnë kancer në gji.
- Shfaqen gropëza dhe lëkura irritohet: pas bllokimit të enëve limfatike në lëkurë, shfaqen gropëza tek gjiri që më vonë pasohen nga irritimi i lëkurës, ndjesi djegieje.
- Dhimbje e gjoksit: nëse keni dhimbje të vazhdueshme në zonën e gjoksit ose të thithkës, me përjashtim të rasteve si cikli menstrual, shtatzënia apo menopauza, atëherë tregoni kujdes pasi duhet të konsultoheni me specialistin.
- Ndryshime të përmasës së thithkës: duke qenë se po zhvillohet një masë kancerogjene, gjoksi në sipërfaqe pëson ndryshime ku një ndër to është edhe tërheqja e thithkës.
- Rrjedhje nga thithka: pavarësisht se jo gjithmonë paralajmëron kancer të gjirit, nëse vini re që zakonisht keni rrjedhje nga thithka (sidomos nëse ka gjak dhe shfaqet vetëm në njërin gji), duhet të vizitoni menjëherë mjekun.
- Ënjtje e gjithë gjirit ose një pjese të tij dhe ndryshime në ngjyrë ose formë: lëkura merr një ngjyrë tjetër, irritohet, ënjtet dhe shkakton dhimbje
Si zbulohet kanceri i gjirit:
1. Vetëkontrolli mujor i gjirit, i cili rekomandohet një herë në muaj duke filluar nga mosha 20 vjeç. Pas menstruacioneve, bëhen lëvizje rrotulluese me dorë duke kontrolluar gjinjtë, deri në pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullave.
2. Ekzaminimi klinik, kontrolli përmes personelit mjekësor, që këshillohet 1 herë në vit.
3. Mamografia, që duhet kryer me patjetër nga moshat 35-40 vjeç të paktën një herë në dy vite, kap kancerin në faza shumë të hershme. Këshillohet të kryhet kur gjinjtë nuk janë të fryrë dhe nuk dhembin.