Ermela Mezuraj, fituesja e Big Brother Albania 4, zgjodhi të qëndronte larg vëmendjes mediatike pas mbarimit të spektaklit. E ftuar në studion e “Ftesë në 5”, ajo rrëfeu mbi periudhën traumatike me të cilën u përball për vite me radhë.
“Di që ndodhi një shndërrim i madh. Mund të them se ishte si një lloj traume [që vjen nga e mira]. Ndonjëherë lajmet e mira rëndojnë më shumë se problemet apo fatkeqësitë. Kur ke një hall, ke me kë e ndan dhe njerëzit të kuptojnë. Por si t’ua shpjegoja unë njerëzve që kam 100 milionë lekë në bank, papritur jam bërë e famshme dhe jam e mërzitur për këtë. Kush të kupton? E kam përjetuar keq daljen nga Big-u. M’u desh kohë të rikuperohesha, të rigjeja balancat e brendshme të vetes. Ishte një proces i çuditshëm, nuk e prisja. Gjithë këto vite, kam qenë në kërkim të vetes dhe në rikuperim të vetes për të balancuar ato që dua unë në të vërtetë. Ajo që pyesja gjatë gjithë kohës ishte: Çfarë duan njerëzit nga unë? Gaboja, sepse duhet të pyesja: Çfarë dua unë nga vetja. M’u deshën vite për të kuptuar se mua më pëlqen jeta e thjeshtë, të rrethohem nga njerëz që më duan për atë që jam.”
Referuar studimeve në internet, ajo që ka përjetuar ish-banorja e Big Brother njihet si “sindroma e pasurisë së papritur”. Pra, periudha më pas nuk shoqërohet domosdoshmërisht me një gjendje të mirë dhe ja disa arsye:
1. Ankth dhe depresion: Nëse pjesa më e madhe e stresit gjatë vitit vjen nga problemet me paratë, të fitosh llotarinë ose të fitosh 100 milionë lekë në Big Brother tingëllon si çelësi i lumturisë. Mirëpo psikologët theksojnë se pjesa dërrmuese e njerëzve e përjetojnë keq pasi nuk janë gati për një “trazirë” të tillë në jetë. Ata janë në gjendje të paguajnë faturat, por sa është çmimi i një miqësie cilësore?
2. Ke ndjesinë se mund të vritesh ose grabitesh: Fitimi i një shume të majme mund të ndikojë ndjeshëm për të rritur rrezikun. Janë raportuar shumë raste të njerëzve që janë vrarë, helmuar ose grabitur pasi kanë fituar paratë.
3. Nuk beson askënd: Fill pasi të gjithë e kanë marrë vesh lajmin, njerëzit që u zgjuan papritur me disa zero më shumë në fund të shifrës së lekëve në bank, zgjohen edhe me një ndjenjë skepticizmi. Periudha shoqërohet me marrëdhënie të tensionuar me familjarët dhe miqtë.
4. Mund të biesh pre e sjelljeve të rrezikshme: Ndonëse disa njerëz janë të përgjegjshëm, një shumë e madhe në bank mund të sjellë me vete edhe sjellje të rrezikshme (përfshirë këtu abuzimin me alkoolin dhe drogën) ose frikë se mos bie pre e tyre.