Letra të mbërritura në Facebook – Revista Anabel pas skandalit Jordyn/Tristan/Khloe.
“Me shoqen time ndanim çdo gjë, çdo gjë derisa erdhi dita të ndaja dhe të dashurin. Mikeshë e imja që nga fëmijëra. Në kopësht, në shkollë, pallat…gjithmonë bashkë.
Në gjimnaz njihem me këtë djalin, të cilin vetë ajo më shtyhu ta njihja. U njohëm dhe që prej atij momenti ishim të tre bashkë. Asnjëherë nuk dyshova për gjë. Madje dhe kur ai më propozoi për fejesë, ajo u gëzua më shumë se unë. Por ja që festën e bënë ata të dy, pa mua. Harruan të më ftonin me siguri.
Më thonin që të kisha kujdes, sepse nuk mund të jemi të tre perfekt. I treti është i tepër. Por unë nuk besoja asgjë. U nisëm një ditë në Laç se doja të merrja bekimin e Zotit para se të fejohesha. Aty pashë diçka që më bëri përshtypje dhe nisa të dyshoja. Të tre qirinjtë i ndezëm bashkë pranë njëri-tjetrit, por ajo u kthye dhe e largoi timin. U habita, por nuk fola.
Ajo u sëmur gjatë rrugës dhe ai doli vullnetar ta çonte në spital dhe meqe unë e doja shumë kishën, le të qëndroja aty për një lutje të fundit. Diçka më bluante dhe doja të dija ku ndodheshin. I ndoqa dhe pashë që shkuan në një spital me emrin hotel. S’guxova të shkoja më gjatë. Ata ishin bashkë. I shkruajta për t’i dhënë urimet, doja të isha e para që i uroja. I zhduka nga jeta dhe sot i shoh në rrugë, nuk ndjej asgjë. Fundja, dy njerëz pa vlerë humba.” – anonime
“Kam kaq ditë që lexoj për këtë dramën e Kardashianëve dhe të them të drejtën nuk është se besoj shumë. Megjithatë unë vetë e kam përjetuar një situatë të tillë.
U njoha me atë person në gjimnaz dhe ishim shumë të dashuruar. Unë ai dhe shoqja ime e ngushtë ishim një treshe që nuk ndaheshim kurrë. Pak nga pak, ajo u bë edhe shoqe e mirë e tij. Sa herë ziheshim a bënim ndonjë debat, ajo na ndihmonte të flisnim prap. Ishte si një ndërmjetëse dhe këtë gjë ia vlerësoja, sepse kishte ditë që nuk e gjenim gjuhën e përbashkët. Si çdo çift.
Në fakt, nuk e di si Zoti më kishte errur sytë. Një ditë i gjeta disa mesazhe të dashurit ku shkruanin dhe dukeshin që ishin pak më shumë se shokë. Ok, e mora lehtë, por në fakt diçka më hante nga brenda. Urreja veten që dyshoja tek ata. Kishim kaq shumë vite bashkë, që nga gjimnazi e deri në universitet. Fillova t’u rrija ftohtë dhe të dyshoja për çdo gjë.
Një ditë i marr telefonin ish-it dhe provokoj shoqen. Aty e vërtetova që ata kishin diçka më shumë. Për muaj me radhë ai më kërkonte falje, ia hidhte fajin asaj etj etj etj. E di që duket e çuditshme, por unë e fala. Nuk u lidha sërish, absolutisht. E fala për të qenë mirë me veten. E përshëndes në rrugë dhe nëse më uron festat, ia kthej. Nuk e dua, as e urrej dhe për të qenë mirë me veten, e fala dhe tani sikur jam më mirë. Nga shoqja nuk e prisja dhe plaga që la ajo është ende e hapur. Më besoni që s’kam për ta falur kurrë. Ajo më shkruan akoma, përpiqet të fusë mik që unë ta fal, por nuk mundem. Nuk e di ç’të bëj.
Dua të shtoj se ata nuk janë bashkë. Ai e quajti një flirt të momentit, ajo e provokoi dhe ai ia vuri fajin “instiktit”. Ndoshta kjo falja për të dashurin nuk është gjëja e duhur, por kështu ndihem sikur nuk kam shumë mllef. Fakti që ne u ndamë dhe unë e harrova, ndonëse vuajta shumë, më bëri më pozitive dhe mendova që ta hedh pas krahëve. Ose ndoshta gënjej veten sikur e kam falur. Nuk e di.
Për shoqen, atë që e quaja motër nuk mundem. Nëse ish-i dashuri nuk më donte, nuk ishte dashuri e vërtetë ose thjesht unë nuk i pëlqeja më, ok edhe mund ta kuptoj. Por si mund ta justifikoj thikën pas shpine të asaj? Ajo u rrit me mua. Ajo hante me mua. Flnim bashkë. Mësonim bashkë. Sot e kam të vështirë të zë shoqe. E di që ndoshta nuk do të kem më kurrë një shoqëri si ajo që kisha me atë, por nëse çmimi është kaq i shtrenjtë sa ai që pagova, preferoj të jem vetëm. Ndoshta jam gabim, por për momentin kështu ndihem.” – anonime
“Shoqja ime prej pesë vitesh, më e ngushta, ajo që flinte me muaj në shtëpinë time, ajo që mami im e pyeste të parën se çfarë do të hante, ajo që vishte rrobat e mia çdo ditë. Ajo, një ditë të bukur, u fejua! Më thoshte që kishte mbyllur çdo rrjet social sepse dëshironte të ishte e qetë. Një ditë shikoj që ishte fejuar dhe kishte foto më shumicë në rrjete sociale. Dhe i fejuari i saj nuk ishte as më pak e as më shumë se dashuria ime e parë. Ai të cilin ajo e konsideronte vëlla. Asgjë nuk bëra. I zhduka nga çdo cep i jetës sime, pa thënë asgjë! Ajo s’më kërkoi kurrë, qoftë edhe për një shpjegim.” – anonime