TV Mania

Florian Agalliu largohet nga Top Channel: ‘Për fat të keq, projekti ngeli përgjysmë’

Shkruar nga Anabel

16 Mars 2019

Florian Agalliu largohet nga Top Channel: ‘Për fat të keq,

Në sezonin e ardhshëm televiziv, Florian Agalliun me shumë mundësi nuk do ta shohim të prezantojë “Në shtëpinë tonë”. I ftuar pasditen e sotme në Thumb (e shtunë, 16 mars) ai shpjegoi arsyen pse ka vendosur të shkëputet nga televizioni, ose të paktën të shkëputet nga Top Channel.

“Vjen një moment që thua ‘Prap do xhiroj unë sot?’ Imagjino kur je përditë në një emision.”

I pyetur nëse ka menduar të drejtojë ndonjë format që transmetohet vetëm një herë në javë, Agalliu u ndal pak tek “Dita e parë e punës”, që u përfol se do të risillte kamerat e fshehta në ekran.

Asokohe, Anabel.al kontaktoi me Florianin për më tepër detaje. “Formati rrotullohet rreth një personi që shkon në ditën e parë të punës në një punë të re. Është tërësisht reality me kamera të fshehta. Me përjashtim të personazhit që nuk di asgjë, pjesa tjetër e stafit është e përbërë nga aktorë të cilët e vënë në siklet dhe i luajnë rrengje punonjësit të ri,” tha ai.

“Unë nisa, për të thënë të vërtetën, një projekt që do të ishte vetëm një herë në javë; shumë interesant, me kamera të fshehta që i bëheshin një personazhi që niste punën për herë të parë dhe ne ia bënim ditën e paharrueshme. Për fat të keq, ky projekt ngeli përgjysmë.” - shtoi ai në "Thumb".

Si pasojë e një keqkuptimi, Top Channel u tërhoq dhe programi u pezullua.

“Ne kemi xhiruar katër seri. Po presim se cili do të jetë televizioni më i favorshëm në të ardhmen. Kur ata u tërhoqën, sigurisht që formati ngeli [i papërfunduar] dhe unë sigurisht nuk mund të shfaqem në një televizion tjetër pa përfunduar kontrata me Top Channel”.

“Dita e parë e punës” u pa si një mundësi e mirë për të rikthyer sërish formatin që ka qenë gjithnjë i suksesshëm në Shqipëri (për shembull “Ishte lojë”). Segmentet me kamera të fshehta janë realizuar tek-tuk si shtojca nëpër emisione të tjera. Një program tërësisht i ndërtuar mbi kamerat e fshehta nuk bën pjesë në listën e programeve televizive, të paktën për momentin.