Miti i vitit të parë të martesës, për shqiptarët, rezulton i vërtetë! Në sondazhin e bërë 2 ditë më parë në Anabel.al, “Sa e vështirë ka qenë martesa për ju”, rezultoi se 38% e votuesëve shihnin vitin e parë të martesës si më të vështirin- duke e quajtur si të tmerrshëm.
Ndërkohë, 28% e tyre treguan se gjithmonë kanë qenë mirë. Pra asnjë ngërç në jetën martesore. Duket bukur, por e vështirë për tu besuar. Gjithsesi ndalojmë pak tek viti i parë i martesës.
Pse konsiderohet si më i vështiri dhe më kritiku?
Atëherë, dasma mbaron brenda një nate dhe do të duhet t’i kthehesh me shpejtësi realitetit. Martesa e vërtetë fillon aty. Martesa është krejt ndryshe nga të qenit thjesht çift. Duhet të kujtoni se keni firmosur një kontratë për të cilën hera herës duhet të bëni kompromise~nëse qëllimi është një familje e shëndetshme, sigurisht.
Vitin e parë do ta gjesh veten duke pëshpëritur pas një sherri: “O Zot kjo është jeta që më pret tani?” Mos përhapni panik. Qetësia vjen me kohën. Përpos faktit që çdo fillim është i vështirë, kur martohesh sheh se nga hiçi ju të dy jeni përgjegjës për njëri tjetrin; për financat, shtëpinë, familjet dhe nëse që në vitin e parë keni një bebush, përgjegjësia shtohet dyfish.
Të gjitha këto nisin në fillim të martesës, prandaj dhe stresi që akumulohet është më i madh.
Të pyetur se cili ishte mendimi i parë që u kalonte nëpër në mendje atë periudhë, përgjigjet ishin optimiste.
22% e tyre i kujtonin vetes që ishin martuar me burrin që donin, kurse 14% e tyre mendonin divorcin.
Gjithsesi vështirësitë e vitit të parë të martesës janë reale, po NUK ka pse të shkojë drejt shkatrrimit.
Nëse e gjeni veten “të pashpresë” apo të rënduar psikologjikisht, merrni frymë thellë dhe shihni larg. Mësoni të bëni dallimin mes një martese të keqe dhe periudhave të frustrimit që mund të keni me veten apo partnerin.
Kujtohu, ti the PO!