Nesër, është zyrtarisht 1 prill dhe njerëzit mezi e presin. E njohur botërisht si Dita e Gënjeshtrave, fillimi i këtij muaji nis gjithnjë me hile.
Por pse është vendosur pikërisht 1 prilli si ditë gënjeshtrash?!
Ndonëse origjina dhe data e saktë ende mbeten të panjohura për njerëzit, mendohet se kjo datë festohej në Britaninë e Madhe të paktën që në shekullin e 19-të.
Atëherë, rrengjet dhe gënjeshtrat bëheshin më tepër nga fëmijët, por shumë gjëra kanë ndryshuar ditët e sotme.
Përsa i përket origjinës, në fakt ka disa teori të ndryshme, por thuhet se gjithçka nisi 1 që prej shekullit të 16-të, kur Papa Gregory XIII mendoi se do të ishte ide e mirë të përshtasnin kalendarin Gregorian dhe ua tha këtë njerëzve.
Asokohe, viti fillonte në fund të muajit mars, ndërkohë që me kalendarin e ri do të niste me 1 janar.
Edhe pse lajmi u shpërnda gjithandej, disa njerëz nuk e morën mesazhin në kohë dhe vazhdonin ta festonin ardhjen e vitit të ri më 1 prill. Ky grup njerëzish nga të tjerët u etiketua si “budallenjtë” dhe që prej asaj dite nisi tradita e 1 prillit, dita e të mashtruarëve.

Si festohet nëpër botë?
Në Skoci, 1 prilli zgjat 2 ditë. Ditën e dytë njerëzit shpesh goditen papritur nga pas. Në Kanada dhe Angli, gënjeshtrat e 1 prillit lejohen të thuhen deri në mesditë. Pastaj loja mbaron.
Në Francë, fëmijët e kanë traditë që t’i vendosin njëri tjetrit në shpinë një letër në formë peshku. Kurse në vendin tonë, Dita e Gënjeshtrave luhet plot 24 orë, ndoshta edhe më tepër dhe sigurisht përpiqemi që skenari i hileve dhe mashtrimeve të jetë sa më i besueshëm dhe i rëndë për “të mashtruarin”.
A është Dita e Gënjeshtrave pushim?!
Sigurisht që po, është pushim zyrtar nga mëngjesi në darkë.
E besuat?! Është si çdo ditë tjetër, fatkeqësisht dhe jo, s’është pushim.