"Kam bërë aq shumë sakrifica për nënën time, sa po të bëjë fëmija im kur ta kem, jo që do e mbaja në shuplakë të dorës, por do i puthja këmbët çdo ditë. Për shkak të jetës së shthurur të nënës sime kam vuajtur që kur linda e deri më sot që u bëra 25 vjeçe.
Më la 3 vjeçe, vetëm me babin tim, i cili u nda nga jeta pas pesë vitesh dhe mbeta vetëm me gjyshen. Ajo mori rrugët e Europës për të punuar në rrugë me njerëz që e droguan, e shfrytëzuan dhe kur e kthyen në Shqipëri, e kishin shkatërruar si njeri. Flas nga ana psikologjike dhe monetare, ishte e ‘varfër.’
Sapo mora vesh që ishte rikthyer, e kërkova. Ah, si e kërkova! Ia fala të gjitha, i kërkova të kompensonim kohën e humbur, edhe pse gjyshja më paralajmëroi që ajo s’do të ndryshonte kurrë. Punova që 16 vjeçe çdo verë. Dy vera në Shqipëri në supermarket dhe verat e tjera në Itali. Gjatë javës mbaja dy fëmijë deri në pesë të pasdites dhe pas orës pesë punoja si banakiere në një bar, vetëm e vetëm që mami im të merrte veten dhe të niste një jetë normale. Atje ku punoja si banakiere vinin shumë maroken dhe deheshin aq shpesh, sa nuk guxoja të dilja rrugëve pa u bërë me dikë që mund ta njhja.
Po ajo ç’bënte? Njeri që nuk bënte pa dikë në krah. Ishte e varur nga burrat, ia kërkonte trupi. Filloi të sillte të dashurit e saj në shtëpi. E shfrytëzonin për kënaqësitë e veta dhe e linin. E mësoja,i thoja t’u rrintelarg. Ndonjëherë, ndonjëri e torturonte sepse unë isha dhe në universitet dhe vija vonë në shtëpi. E gjeja të nxirë në trup dhe inatin e shfrynte tek unë.
Unë nuk bëja zë. Deri kur njëri nga ata më përdhunoi. Ishte tmerr! Nuk doja veten. Nuk kisha lënë njeri të më prekte. Iu dedikova asaj dhe ambicieve të mia, por s’mjaftoi. Atë ditë humba çdo gjë, mbi të gjitha humba për të disatën herë nënën time.
Kanë kaluar tre vjet. Nuk e di ku është, si është. E urrej ndonjëherë. Ndonjëherë vendos veten në vendin e saj, ndonjëherë dua të di si është.
Sot jetoj në Itali, punoj në profesionin tim, ekonomiste. Por, kam dy brenga. Një është ai fëlliqësira të cilin s’e denoncova dot sepse kishte një vajzë të vogël. E dyta, mamaja ime. Nuk e di si jeton."
Dërguar në faqen tonë në Facebook nga një grua anonime