Megjithëse në fillim çuditej, tani Eni Shehut i vjen mirë që njerëzit e thërrasin Klajdi. Në një intervistë për Revista Class, ai u shpreh se “i vjen mirë që Klajdi është ngulitur si personazh". "Do të thotë se e kam bërë punën mirë".

Edhe pse kishte vite që njihej me krijuesen dhe producenten ekzekutive të “Hostel by Anabel” dhe web-series #Loves #Likes #Tirana, Dalina Buzin, Eni thekson se u deshën disa prova që të zgjidhej në rolin e një prej protagonistëve.
“E kam ndjekur punën e saj dhe më ka frymëzuar, por asnjëherë s'na kishte rënë rasti të bashkëpunonim. Ajo, si skenariste, edhe më shihte edhe s'më shihte te Klajdi. U desh një provë në zyrën e saj, në çift së bashku me Zoin, që përfundimisht të vendoste.”

Siç thekson edhe më tej, suksesi i #LLT pritej për vetë faktin që do të ishte risi, por asnjëherë nuk e kishte menduar se do të kishte kaq shumë reagime. “Asnjëherë nuk e prisja që të ngjallte kaq shumë reagime saqë njerëzit të mos përmbahen as kur më ndeshin nëpër rrugë”.
Ndryshe nga Klajdi, Eni është besnik. Të dy i bashkon të qenurit “workaholic” – të dhënë pas karrierës (edhe pse Klajdi ka më shumë lekë). Në fund të intervistës, ai zbuloi diçka që publiku nuk e dinte: “Kam ndërmend të provoj Hollywood-in”.