“Përshëndetje,
Unë që po ju shkruaj jam një ish-sportisit i nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar. Historia ime e dhimbshme dhe njëkohësisht e suksesshme fillon që në fund të ciklit shkollor 8-vjeçar. I përkisja një familjeje relativisht të varfër, por të nderuar. Të mbetur jetimë që në vogëli, jeta na sprovoi të jetonim me mungesën e më të shtrenjtës që kishim, mamin. U mësuam të jetonim me brengë në shpirt, por ende sot pas njëzetë vitesh i kam ende parasysh njerëzit që na përbuznin dhe na shihnin ndryshe. Natyrisht askujt nuk i mbaj mëri.
Pasi u rritëm, motrat dhe vëllezërit u martuan ose emigruan; unë vendosa të vazhdoja shkollën dhe paralelisht fillova sportin, pasi e kisha shumë pasion. Sporti që ushtroja ishte sport luftarak individual (nuk po e saktësoj se çfarë sporti ishte pasi dua të ngelem anonim, por ata që kanë informacion e kuptojnë). Isha një sportist i talentuar, stërvitesha shumë sepse doja të arrija majat.
Nuk kisha asnjë mbështetje, as nga shokët e palestrës, as nga menaxherët, përveç një ndihmës-trajneri. Nuk kisha të afërm që merreshin me sport, por kjo nuk ma zbehte pasionin. Në qytetin ku isha dhe në kategorinë time isha thuajse absolut.
E mbaj mend gjithmonë kampionatin e parë mbarëkombëtar për grupmoshat e të rinjve ku mora pjesë. Isha 16 vjeç asokohe. Pas disa ndeshjeve skualifikuese, u rendita i dyti. Isha i kënaqur edhe pse skeptik për mënyrën si më gjykuan gjatë ndeshjeve. Ndiqja shkollën, ama zemra më rrihte më shumë për sportin. Doja të luftoja jo vetëm për kundërshtarët e mi, por edhe për veten. Doja të besoja.
Pasi mbarova gjimnazin me nota mbi mesataren, shpresoja të fitoja degën që preferoja në Universitetin e Sporteve, që atëherë quhej Akademia Sportive "Vojo Kushi". Gjithashtu u bëra pjesë e ekipit FK Tirana dhe pjesë e ekipit kombëtar.
Për t’u bërë student i Universitetit të Sporteve duhet të kualifikoheshe përmes normave fizike dhe psikologjike. Siç ndodh rëndom, në Shqipëri të parët që fitonin ishin fëmijët e ish-sportistëve, të miqve të tyre dhe ata që paguanin shuma marramendëse. Unë nuk kisha as lekë, as miq, as trajnerit nuk i interesoja.
Më kujtohet dita kur bënim normat fizike dhe unë isha përgatitur shumë mirë. Konkurrenca ishe e madhe, por megjithatë kishte edhe nga ata që nuk ia kishin idenë fare, por sërish ata kishin një të afërm ose një prind, ndërsa unë jo.
Ishim jo më pak se 700 studentë, kualifikohesh 130-150. Në normat fizike u rendita i treti, para meje ishin një gjimnast i klubit Partizani dhe një futbollist i Dinamos. Kur u afishuan listat me emrat fitues, isha në vend të 80. E fitova universitetin, por gjithnjë me mëdyshje pse duhet të renditesha aq poshtë. Kuptohet; leku dhe miku.
Tashmë isha një 19-vjeçar në kulmin e karrierës sportive dhe student i mirë. Isha kampion kombëtar për të rritur. Rregulli ishte që kampionët përfaqësonin Shqipërinë në arenën ndërkombëtare në Kampionatet Ballkanike, Mesdhetare, Europiane, Botërore dhe në kualifikimet e Olimpiadës. Justifikimi ishte i njëjtë: S’kemi fonde që t’ju dërgojmë të gjithëve, kështu që do shkojnë 2-3 sportistë. Unë nuk bëja pjesë në treshe. Rezultati ishte i zakonshëm, përveç ndonjë përjashtimi.
Vetëm një herë mora pjesë në Europian; nga katër ndeshje, dy fitore. Rezultat i kënaqshëm për mua. U surprizua edhe trajneri. Por vetëm kaq.
Duke qenë sport i vështirë dhe dëmtimet janë pjesë e tij, unë pata fatin e keq të dëmtoja vertebrat lumbare dhe pak më vonë këputa një ligament në gjurin e majtë. U bë e pamundur ta vazhdoja karrierën dhe jo se nuk rikuperohesha, por duheshin para. Shumë shpejt u gjenda i distancuar nga të gjithë. Askujt nuk i interesoja më.
Gjithkujt duhet t’i japësh hakun që metion. Mjafton të shikojmë sportistët shqiptarë të Kosovës si Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën etj. Por në Shqipëri ndodh ndryshe. Po kështu ndodh edhe me kualifikimet e talenteve të tjerë, si studime jashtë, eurovizion, doktoratura etj.
E kështu u mbyll karriera me pa dëshirën time, mbarova universitetin me nota të mira, por kaq. Desha ose nuk desha, e gjeta veten emigrant. Sot, jam i lumtur, por ëndrra ka mbetur e pluhurosur.
Askush nuk bëhet sportist i madh nëse ka vetëm talent." - anonim (dërguar në Revista Anabel, Facebook).