Më 25 maj, Dafina Zeqiri u rikthye me projektin e saj më të ri. Këngën “La Reina”, Dafina e solli përmes një videoklipi të menduar deri në detajin më të vogël. Pothuajse në çdo skenë është një Dafinë e re, një Dafinë krejt ndryshe.
Edhe pse kanë kaluar vetëm disa ditë nga publikimi, klipi i këngëtares ka rrëmbyer vëmendje të madhe.
Dafina zgjodhi të vinte me skena të veçanta, që deri më sot s’i kishim parë nga koleget e saj; kujtojmë këtu momentin që ha zinxhirë ari me pirun apo tavolinën e stërgjatur vendosur në mes të një pylli.
Gjithsesi, një pjesë e mirë e komentuesëve mendojnë se Dafi “ka kopjuar” pjesë nga videoklipi i këngëtares turke, Aleyna Tilki.
Komentet:
"E konfuzuar duke menduar se ku e kisha parë këtë klip. Pastaj u kujtova që më kujton këngëtaren Aleyna Tilki. I njëjti videoklip, kështu që nuk është kaq videoklip i veçantë. Dikush tjetër e ka bërë para saj."-shkruan dikush.
Klipi i 19-vjeçares është publikuar në qershor të 2018-ës dhe ka nga ata që mendojnë se videoklipi "La Reina" është i njëjtë me atë të Aleyna-s.
Në fakt, përpos skenës, ku si Dafina ashtu dhe këngëtarja turke zhyten në një vaskë të mbushur me corn flakes (drithëra) shumëngjyrëshe, elementët e tjerë vijnë ndryshe.
Si pylli ashtu edhe palaçot që shfaqen në të dyja klipet, ndonëse janë detaje të njëjta nuk ngjasojnë me njëra tjetrën sepse janë trajtuar krejt ndryshe nga secila prej artisteve.


Sigurisht, nuk përjashtohet aspak mundësia që Dafina të jetë frymëzuar nga këngëtarja turke, por kjo është krejt normale dhe e pashmangshme gjatë procesit krijues.
Çfarë ka rëndësi është që duket qartazi që këngëtarja ka përvetësuar dhe veshur kaq mirë çdo skenë dhe detaj të atij klipi, sa e bën të mos ngjajë me asnjë video tjetër që sheh më pas.