Siç mund ta keni parë, pas dhimbjeve të depilimit dhe dhimbjeve të lindjes, këtë të martë (4 qershor) në “Hostel by Anabel” djemtë provuan të visheshin dhe lyheshin si vajzat, sfidë kjo e rubrikës “Anabel Lab”.
Nisur nga rubrika, vendosëm të realizojmë një përmbledhje të disa aktorëve shqiptarë që ndër vite kanë realizuar role grash. Në fakt, nuk e kemi fjalën për role të thjeshta, por për rastet kur roli u kthye në personazh identifikues për aktorin.
I pari që na vjen në mendje është padyshim Agron Llakaj. Që në fillimet e “Portokallisë”, përpos imitimit të ish-kryeministrit Berisha, spikati edhe personazhi i Anesë – një grua në moshë nga Tepelena, e cila është gjithnjë në “konflikt” me nusen dhe komshinjtë. Rolin e Anesë, Agron Llakaj e “mori me vete” edhe te Al Pazar.
Po kështu, në fillimet e “Portokallisë” përpos Anesë së famshme, e njohur u bë edhe figura e Bedries, pjesë e skeçeve të grupit The SHBLSH interpretuar nga Ermal Mamaqi.
Frymëzuar nga gjyshja e tij, Bes Kallaku solli në “Portokalli” figurën e gjysheve shqiptare,
rol të cilin e interpreton edhe në “B.E Coffee”.
Pak para se të largoheshin nga programi i humorit i Top Channel, Erion Isai dhe Bes Kallaku për disa sezone sollën personazhet e njohur si Insta Girls, që përmes ironisë dhe humorit trajtonin raportin e vajzave me rrjetet sociale.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja: Vezirja!
Alex Seitaj e çoi në një tjetër nivel interpretimin e personazheve femërore, duke ndërthurur këngën dhe interpretimin.
Ndryshe nga rastet e tjera, aktori preferon t’i kushtojë rëndësi grimit dhe veshjes, duke sjellë kështu një figurë më të kompletuar. Vezirja nuk është thjesht një rol i zakonshëm, pasi u kthye në fenonem si drag queen-i i parë shqiptar.