Tiroidet janë vërtet të vogla, por ndikojnë masivisht në shëndetin tonë. Gjendrat në formë fluture kontrollojnë metabolizmin, që me shumë mundësi e çojmë nëpërmend kur duam të humbasim peshë. Gjithashtu, janë përgjegjëse për energjinë që na nevojitet në përditshmëri. Prandaj, është me rëndësi të tregohemi të kujdesshëm me simptomat që mund të sinjalizojnë probleme me tiroidet.
Tiroidet mund të preken nga një sërë sëmundjesh, por kryesisht janë dy: hipertiroidizmi dhe hipotiroidizmi. Energjia jonë varet nga hormonet që prodhohen nga gjendra, prandaj kur prodhon më shumë (hipertiroidizëm) ose më pak (hipotiroidizëm) se ç’duhet, fillojnë të shfaqen probleme. Sipas mjekëve, simptomat e secilës ndahen si më poshtë:
Hipertiroidizëm:
Irritim
Nervozizëm
Muskuj të dobët
Dridhje
Menstruacione të rralla e të pakëta
Rënie drastike në peshë
Probleme me gjumin
Tiroide të zmadhuara
Probleme me shikimin
Ndjeshmëri ndaj vapës
Hipotiroidizmi:
Rraskapitje
Menstruacione të shpeshta e të shumta
Probleme me kujtesën
Shtim drastik në peshë
Flokë dhe lëkurë e thatë
Zë i gërvishur
Intolerancë ndaj të ftohtit
Siç mund ta shihni, simptomat janë të kundërtat e njëra-tjetrës, në varësi të mungesës ose teprisë së hormoneve në trup. Disa nga simptomat mund të jenë të rëndomta e mund të shkaktohen edhe nga sëmundje të tjera. Por, nëse vuani nga shumica e simptomave të listuara, bëni mirë të kontrolloni gjendrat e tiroides.
Ky çekuilibër i tiroides mund të ketë disa shkaktarë. Për shembull Grave’s Disease është një sëmundje autoimunitare që shkakton zmadhimin e tiroides që pasohet nga hipertiroidizmi. Teprica e jodit në organizëm është një tjetër gjendje që shkakton prodhimin e hormoneve me tepri nga gjendra në fjalë. Ndërsa hipotiroidizmi shkaktohet zakonisht nga tiroidet e inflamuara (jo të zmadhuara).
Nëse besoni se keni vërtet një problem me tiroidet, mos u panikosni. Me ndihmën e mjekimeve, situata normalizohet sërish. Sa më herët ta dalloni, aq më mirë.