Këto javët e fundit, Renato Mekolli ka dhënë shumë (shumë) intervista. Të gjitha janë në funksion të promovimit të sezonit të dytë të “Hell’s Kitchen” dhe e fundit, dhënë për “Klubin e Mëngjesit” shërbeu dhe si zanafilla e një lufte thumbimesh.
Sipas News31, Mekolli foli më tepër rreth përzgjedhjes së autores së programit, Zefina Hasanit, që u rikthye në Top Channel pas një konflikti tejet publik me televizonin disa vite më parë. Sipas Mekollit, Zefina ka eksperiencën dhe nuhatjen e duhur, ndaj nuk do ta ndërronte me asnjë person që është në krahun e tij të djathtë në “Hell’s Kitchen.’
Këto superlativa për Zefinën, mesa duket, i ranë në vesh autores së “Hell’s Kitchen” gjatë sezonit të parë, Olsa Muhametit, e cila për momentin është autore e “Pushime on Top.” Ajo postoi dy Story “kriptike” që shkruajnë:
“Ka një vend në ferr për të gjithë ata që përpiqen të heqin meritat duke ia faturuar vetes. Ah, dhe diçka. Suksesi arrihet në grup dhe asnjëherë i vetëm. Mjerë kush e mendon si të tillë. Suksese.”
Sigurisht, Olsa mund ta ketë për diçka, për dikë tjetër, por përdorimi i fjalës "FERR" dhe momenti i përzgjedhur, na bën të mendojmë se e dimë me kë e ka.