Dafinën quajeni ç’të doni, por mos e quani të mërzitshme sepse thjesht s’është e vërtetë! Çdo dalje publike, çdo foto, çdo veshje, grim, flokë, thonj, është e kuruar dhe interesante. Nuk pranojmë argumenta kundër. Sidoqoftë, jemi këtu për të folur për këtë look, realizuar për videoklipin e “Bye Bye,” në bashkëpunim me Taynën.
Sellma, artistja pas grimit, ndoqi një teknikë të vjetër, tejet popullore gjatë viteve ’60-’70 që quhet draping (sigurisht që anglishtja ka një term dhe për këtë), që do të thotë t’i vësh perde fytyrës. Teknika e Way Bandy shërbeu si frymëzim për linjën e makeupit të Marc Jacobs që në 2016-n nxorri në treg një paletë blush-i pikërisht për draping.
Shkurtimisht më vonë, Rihanna hijeshoi tapetin e kuq të Met Gala 2017, me temë “Rei Kawakubo/Comme des Garçons: Art of The In-Between” me blush në tempuj e në qepalla. Ç’moment ikonik.
Që nga ai moment, draping filloi të vihej re në sfilatat e pranverë/verë 2018. Te Kenzo përdorën një ngjyrë pjeshke, Giorgio Armani zgjodhi të argjendtën, ndërsa Valentino rozën klasike.
Verë 2019. Draping mbërrin në fytyrat e Dafina Zeqirit dhe Vesa Lumës. Nëse jeni natyra guximtare – ose Luan – mund të zhyteni në blush për një rast të veçantë, ku është e nevojshme të jeni qendra e vëmendjes. Për një version më të butë të këtij grimi, vendosni blush në mollëza dhe çojeni sipër në tempuj e në qepallë. Shpërhapeni mirë. Për të zbutur më tej efektin, vendosni pudër të tejdukshme sipër.