Sot, Mc Kresha feston 35-vjetorin, por siç shkruan edhe vetë në Instagram, “hala o fresh si njëzet”. Nëse nuk e dinit dhe ju kanë shpëtuar artikujt e mëparshëm mbi VIP-at dhe horoskopin, reperi është i shenjës së Virgjëreshës dhe nëse ndalemi te disa karakteristika të tij, do të bindeni se është një Virgjëreshë tipike.
E nisim me karakteristikat e pamjes fizike. Njerëzit e lindur në këtë shenjë kanë përgjithësisht formë ovale të fytyrës dhe sytë janë të mprehtë e të shndritshëm.
Flokët janë të dendur – dhe këtu nuk ka nevojë për komente mbi kaçurrelat e Kreshës – por me kalimin e kohës kanë tendencën t’u bien (shpresojmë që jo). Duke qenë se sundohen nga Mërkuri dhe përfitojnë nga mirat e tij, Virgjëreshat kanë një lloj prezence në çdo mjedis ku shfaqen, ku rol të madh luan edhe zëri i tyre i fortë. Kujtoni “s’ka kuptim as kanga, kur manga t’i fsheh prangat...”.
Qetësia e karakterizon në çdo dalje televizive. Nëse shihni dikë që flet me “këmbë e me duar” dhe bie në sy, me siguri që nuk është Virgjëreshë. Siç zakonisht ndodh me Virgjëreshat, Kresha ka një lloj qetësie dhe pozitiviteti në çdo dalje televizive.
Nëpër intervista, ai nuk shquhet si llafazan, përkundrazi flet qetë dhe me masë. Tipike e të lindurve në këtë shenjë, reperi përgjithësisht duket sikur ka diçka që e shqetëson dhe po përpiqet ta zgjidhë me veten.
Ju me siguri që nuk keni dëgjuar kurrë mbi mbështetjen që Kresha u ka dhënë dhe vazhdon u jep artistëve, sepse Virgjëreshat japin dashuri dhe mbështetje në heshtje të plotë, pa qenë nevoja ta demonstrojnë dhe t’i thurin lavde vetes. Për shembull, ai bashkëpunoi me Kidën kur ajo nuk ishte ende fort e njohur në “Rikthejm na”. Po kështu u ka dhënë mbështetje reperëve të rinj duke i bërë pjesë të labelit Pint. Por ai s'do ta përmendë kurrë diçka të tillë.
Si pothuajse të gjithë të lindurit e shenjës së Virgjëreshës, reperi i do kafshët dhe më së shumti qentë; i quan ata shokë dhe i poston vazhdimisht në rrjete sociale.
Virgjëreshat kanë një lloj disipline strikte ndaj punës dhe i përkushtohen në maksimum. Prej vitesh, Kresha është ndoshta reperi më i disiplinuar dhe më i përkushtuar ndaj fansave të tij, duke sjellë këngë dhe albume të vazhdueshme, që qëndrojnë në majën e muzikës hip-hop shqiptare. Shtojmë se ka një shije të hollë artistike që dallon prej të tjerëve, tipike e kësaj shenje.

Flasim pak për dashurinë? Përveç Rozana Radit, me kë ka qenë në një romancë reperi? Hmm...Kjo sepse burrat e shenjës së Virgjerëshës duan cilësi dhe jo sasi në dashuri. Prandaj edhe ka shumë beqarë rreth e rrotull. Ndryshe nga miku i tij Ledri Vula (Gaforre) që flet vazhdimisht për dëshirën për t’u bërë baba së shpejti, Kresha nuk duket se ka ndonjë plan të zjarrtë për t’u bërë prind. Në fakt, egoja e Virgjëreshave nuk kërkon një fëmijë me patjetër.
Përsa i përket shoqërisë, të lindur e kësaj shenje priren drejt raporteve të vogla dhe përkushtohen vazhdimisht. Shoqëritë e tyre zgjasin gjatë gjithë jetës dhe për ta ilustruar, mjafton të përmendim raportin e veçantë me Lyrical Son.
Për ta mbyllur: mjeshtër i detajeve. Si të gjithë Virgjëreshat, Kresha është aq perfeksionist sa e shet punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Albumet e tij janë shitur përgjithësisht si box (kuti), pra me bluzë, mbajtëse çelësash, autografe dhe sende të tjera.
Dhe meqë po flasim për detajet, kush tjetër do të guxonte të shkonte te “Kënga Magjike” me një çantë shpine me vete?