Ndarja nga jeta e reperit 26-vjeçar, Mac Miller, ishte një ndër ngjarjet më të bujshme të vitit 2018, aq sa u rendit në vendin e tretë në 10 gjërat më të kërkuara në Google. Deri më sot, shkak i vdekjes së tij mendohej se ishte mbidoza si pasojë e toksicitetit të përzierjes së fentanilit, kokainës dhe alkoolit. Mirëpo së fundi një i ri është arrestuar dhe po gjykohet si përgjegjësi kryesor për ngjarjen tragjike.
Prokurorët në Los Angeles thonë se Mac Miller mendoi se bleu një oksikodon – qetësues kundër dhimbjeve – por në fakt iu shit fentanil, një ilaç rreth pesëdhjetë herë më i fortë se heroina.
Cameron James Petit, 28 vjeç nga Los Angeles, u arrestua si i dyshuari kryesor që shpërndante substancën në fjalë. Prokurorët thonë se provat kundër Petit janë edhe disa mesazhe të tij të dërguara fill pasi u gjet trupi i pajetë i reperit. “Me shumë mundësi do të vdes në burg,” i shkruante ai një shoku.
Reuters raporton se Petit është paraqitur në një seancë të shkurtër në gjykatë dhe për momentin po mbahet në paraburgim. Nëse shpallet fajtor, mund të dënohet 20 vite burg.
Mac Miller u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Kaliforni më 7 shtator të një viti më parë. Rezultatet e autopsisë u përpiluan tre ditë pas vdekjes, ndonëse u bënë publike kohë më pas.
Në të kaluarën, Miller u tregua i hapur për luftën e tij kundër abuzimit me substancat narkotike. Në gusht të 2018-s, ai tha për Vulture: “Unë kam folur shpesh mbi të vërtetat e mia, mbi anën e errët që kam përjetuar. Kjo është jeta, duhet të përjetohen të gjitha emocionet.”
Ju kujtojmë se Ariana Grande dhe Mac kanë qenë shokë për 5 vite dhe të dashur për dy. Lidhja e tyre u bë zyrtare në 2016-n dhe përfundoi në maj të 2018-s. Ajo i dedikoi një postim Miller-it: “E respektoj dhe e adhuroj atë pafund dhe jam mirënjohëse që e kam në jetën time në çfarëdolloj forme, pa u penduar për rrjedhën që mori marrëdhënia jonë apo për atë që universi ka rezervuar për ne.” duke e cilësuar gjithashtu si “një nga miqtë e saj më të mirë dhe personin e preferuar në planet.”
“Të kam adhuruar që prej ditës kur të takova kur isha 19 vjeç dhe do të të adhuroj gjithmonë. Nuk mund ta besoj që nuk je më. Me të vërtetë nuk mund të mësohem me këtë ide. Kemi folur për këtë. Kaq shumë herë. Jam shumë e acaruar, shumë e trishtuar sa nuk di ç’të bëj. Ti ishe miku im më i mirë. Për shumë kohë. Më vjen keq që nuk mund të të largoja dhimbjen. Me të vërtetë doja. Njeriu më i sjellshëm, më i ëmbël me demonët që kurrë nuk i meritoi. Shpresoj që të jesh mirë tani. Prehu në paqe”, shkroi Ariana në Instagram, fill pas vdekjes të reperit 26-vjeçar.