Për koleksionin e ri Pranverë 2020, Maria Grazia Chiuri, drejtoresha kreative e Dior, e përqëndroi vëmendjen te kopshti i saj. Modelet mbanin flokët e kapur gërshetë, që të kujtojnë paksa stilin e Greta Thunberg, aktivistja 16-vjeçare që kërkon të tërheqë vëmendjen mbi ngrohjen globale. Një zgjedhje e tillë nuk qe aspak rastësore.
Problemet klimatike janë një çështje madhore e planetit, ndaj Chiuri i transmetoi këto problematika sipas mënyrës së saj – përmes sfilatës së Dior. Muza e koleksionit të ri qe Miss Dior, Catherine, motra e themeluesit të shtëpisë së modës. Ashtu si e ëma, Catherine ishte një kopshtare e devotshme. Ajo ishte gjithashtu një anëtare e Rezistencës Franceze, gjë për të cilën u internua në një kamp gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Pas tmerreve të luftës, ata ishin në kërkim të së bukurës. Christian e gjeti te moda, ndërsa Catherine te lulet,” tha dizajnerja për Vogue.
Nuk është hera e parë që Chiuri frymëzohet nga Catherine. Në 2017-n, ajo u frymëzua nga herbariumi i saj për të sjellë koleksionin Pranverë 2017. Në këtë sezon, vihet re sërish frymëzimi nga lidhja e Catherine me natyrën.
Vendodhja e shfaqjes ishte Longchamp Racecourse, që në vitet 1920-1930 ishte “terreni i modës” – një vend ku vendoseshin tendencat dhe ishin të pranishëm crème de la crème e shoqërisë. Zgjedhja e një vendi me bimë dhe pemë ishte e mirëmenduar për të sjellë në vëmendje rëndësinë e tyre në ekosistem.
Një pjesë e veshjeve përmbajnë motive me lule dhe barishte, të cilat dizajnerja i zbuloi në Museum of Natural History në Paris.
Për zonjat Dior, Chiuri mendoi të rikthente trikot parisiene.
Gjatë shfaqjes, në sfond dëgjohej kolona zanore e filmit “The Tree of Life”, kënga “River”, një kompozim i Alexandre Desplat.
Burimi: Vogue