Pushteti

Greta Thunberg e sulmojnë duke e krahasuar me figura naziste

Shkruar nga Anabel

26 Shtator 2019

Greta Thunberg e sulmojnë duke e krahasuar me figura naziste

Greta Thunberg, adoleshentja nga Suedia që u bë e njohur pas protestave për të sjellë në vëmendje ngrohjen globale, mbajti një fjalim në Shtetet e Bashkuara në Samitin për Ndryshimet Klimatike, duke theksuar se politikanët nuk e kanë kuptuar rëndësinë e një problematike të tillë. Fill pas fjalimit, ajo u përball me një mori sulmesh dhe ofendimesh në media sociale.

Opinionisti amerikan Michael Knowles e quajti atë “një fëmijë të sëmurë mendor”, në një nga programet e Fox News. Greta, 16 vjeçe, vuan nga sindroma Asperger, një formë autizmi, të cilën e quan “superfuqi”. Fox News kërkoi falje për komentin e turpshëm dhe një zëdhënës u shpreh se nuk kishin në plan ta ftonin zotin Knowles sërish.

Një tjetër komentator konservator, indiano-amerikani Dinesh D’Souza, e krahasoi imazhin e saj me ato të propagandës naziste, duke postuar një foto të Thunberg krahas një gruaje që mban në dorë flamurin me svastika (kryqi i thyer). “Fëmijët – veçanërisht vajzat e bardha nordike me gërsheta dhe faqe të kuqe – shpesh përdoreshin në propagandën naziste,” shkroi ai.

Greta Thunberg e sulmojnë duke e krahasuar me figura naziste

Në disa raste të tjera, fjalimet e saj u krahasuan me fjalimet e “viktimave të kampeve të përqëndrimit të ideologjisë së marksizëm-leninizmit".

Donald Trump u shpreh për Greta-n kështu: “Ajo duket si një vajzë e re dhe e lumtur që shpreson për një të ardhme të ndritshme. Më vjen mirë.”  Deklarata besohet të jetë ironike.

Nga ana tjetër, Greta u përgjigj duke e vendosur thënien në profilin e saj në Twitter.

Të tilla sulme, Thunberg i ka cilësuar si përpjekje për të larguar vëmendjen nga çështja e ngrohjes globale. “Greta e ka thënë që në fillim që do të sulmojnë atë, sepse nuk përballen dot me shkencën,” tha ambientalisti Bill McKibben.

Në gusht të 2018-s, nxënësja nga Suedia nisi e vetme një grevë pranë godinës parlamentare të Stockholm- it. E mitura deklaronte se nuk do të shkonte në shkollë të premteve, derisa qeveria të ndiqte kushtet e Marrëveshjes së Parisit mbi ndryshimet klimaterike, më saktë ngrohjen globale.

Greta u bë e famshme në mbarë botën dhe protesta e saj gjeti mbështetje nga mijëra nxënës të 400 qyteteve në Evropë, SH.B.A dhe Australi. Për më shumë informacion klikoni këtu.

Burimi: New York Times