
Mbaj mend se ditëlindjen time, mami ma ka festuar vetëm një herë, kur mbusha 10 vjec. Kam lindur në Korrik dhe të lindurit e verës më kuptojnë fare mirë kur them se në atë periudhë plazhi, as që bëhej fjalë për ndonjë festë të madhe.
Nuk kam bërë as dasëm. Më dukej më tepër një punë e jashtëzakonshme sesa një kënaqësi, duke e njohur veten time dhe “sëmundjen profesionale” që më ka zënë e zor të më shkulet si pasojë e punës në produksionet e spektakleve televizive.
Ndaj vendosa të mos u futesha ndonjëherë “sikleteve festive”. Derisa një ditë, vajza ime e madhe më tha: “Mami, kur të bëhem 5 vjeç, dua që të vishem si Elsa dhe të bëjmë një ditëlindje të madhe si Frozen.”
Çdo vit që kur ajo mbushi 1 vjeç, i kisha organizuar vetëm ditëlindje modeste me rrethin më të afërt familjar apo me shkollën. Dekorimi konsistonte në disa tullumbace dhe poster “Happy Birthday” të blerë për 100L tek Jumbo dhe një tortë që vetëm herën e fundit kishte disa dekorime me Hello Kitty. Por vitin e fundit, që në hyrje të Janarit, duke shëtitur sa në një ditëlindje në tjetër të të gjithë miqve të klasës së saj parashkollore, e ndjeja që duhet të bëja diçka më shumë. Nuk doja që Larisa të ndihej e përjashtuar nga festa të tilla. Ndaj, atë ditë kur ajo erdhi e bindur se do t’i bëhej një ditëlindje e madhe, madje me tematikë, nuk kasha rrugë tjetër: Duhej t’i futesha punës!
ÇFARË S’DOJA TË BËJA NË NJË DITËLINDJE!
Kisha qënë në disa ditëlindje fëmijësh dhe bazuar nga eksperienca, nisa të shkruaja ato që s’duhet të bëja në ditëlindjen e vajzës.
Dekorimet me tullumbace – Prapë? Në botën më të madhe të fantazisë, sic është ajo e fëmijëve, pse duhet të jemi kaq të kufizuar, kur mund të luajmë me tema përrallash, me ngjyra dhe kostume nga më të çuditshmet. Çdo gjë lejohet në festat e fëmijëve
Ambiente të errëta – Kisha rastisur në disa ditëlindje ku ndiheshe sikur pas pak do të hynte një piano dhe dikush do të këndonte jazz dhe të gjithë fëmijët do të uleshin e ndiznin një puro. Në mendjen e një prindi, kjo do të ishte idealja (pa pjesën e puros), por në realitet fëmijët nuk ulen në karrige, shumica janë duke vrapuar përreth, duke hedhur e pritur objekte dhe gjatë gjithë kohës duan të sigurohen që e shohin prindin e tyre edhe kur nuk duan të rrinë pranë tij.
Të anashkalosh të rriturit – Një herë më kujtohet që rastisa në një ditëlindje në një kënd lojërash. Gjatë gjithë kohës ndenja në këmbë duke u tundur majtas-djathtas nga fëmijë që vraponin rreth meje, shtyheshin apo të ulërisnin në vesh duke kërkuar prindërit. Mezi arrija të mbaroja një fjali me ndonjë prind tjetër nga zhurmat dhe nga prania e tyre gjatë gjithë kohës, aq sa nga fundi, e gjeta veten në një kosh të mbushur me topa
Të shërbesh ushqime të pashëndetshme ose të mërzitshme - Nuk të vjen inat kur pasi je përpjekur për muaj me rradhë të edukosh fëmijët që të hanë ushqime të shëndetshme e t’i rrinë larg patatinave apo pijeve me gaz ( të paktën 6 herë në javë), vijnë dy apo tre ditëlindje kopshti/shkolle të njëpasnjëshme dhe në të treja shërbehen pikërisht ushqimet e tmerrshme si patatina dhe pije të gazuara. E çfarë mund t’i thuash fëmijës në atë moment kur të gjithë hanë nga një tavolinë? “Oo prit mami se kam disa karrota të qëruara në çantë!” Të mos flasim për ato bufe që rëndohen me ushqimet e preferuara të fëmijëve si salçiçet apo biskotat, por kanë forma e ngjyra, sikur po shtroheshin për një drekë vakie.
Të krijosh mundësi që të kënaqen të gjithë karakteret e fëmijëve - Duhet të kuptojmë njëherë e mirë që fëmijët janë njerëz të vegjël, kanë personalitetin e tyre dhe kanë shije krejt të ndryshme nga tjetri. Jo të gjithë duan të bëjnë karaoke. Jo të gjithë kanë vëmendje për një teatër kukullash. Jo të gjithë duan të ulërasin, të kercejnë e të këndojnë. Ka fëmijë të turpshëm, të mbyllur në vetvete, të cilët preferojnë të rrinë në karrige me prindërit, sesa të luajnë me të tjerë. Por natyrisht ti nuk do t’i dënosh ata dhe prindërit. Duhet t’u gjesh një hapësirë. Në një ditëlindje, Larisa doli duke qarë sepse nuk arriti të pikturohej në fytyrë. Priti në rradhë për një kohë të gjatë, por nuk mund t’u kundërvihej dot më të mëdhenjve që futeshin pa rradhë dhe rrinte dhe priste derisa ja plasi të qarit, kur vajza e grupit animator lajmëroi se do të vijonte me një lojë tjetër.
ÇFARË DUHEN PËR DITËLINDJEN IDEALE!
Gjej bashkëpunëtorët e duhur!
Me këto “JO-të” në mendje, vendosa që të organizoja festën e madhe të 5-vjetorit të vajzës sime. Si fillim, duke e ditur që kisha një axhendë hektike me disa punë njëkohësisht, më duhej të zgjidhja bashkëpunëtorët e duhur, të cilëve mund t’u besoja idetë edhe sikur të takohesha me to qoftë një herë, pa qënë nevoja t’i kontrolloja vazhdimisht.
Vendi
Pasi kisha pyetur kudo dhe të gjithë më kishin sugjeruar të njëjtat emra hotelesh të famshme dhe ambientesh të tjera ku kisha qënë për çdo festë; në një koktej, më ngeli mendja tek sugjerimi i një mikeshës sime për restorantin/sallën e re të eventeve të kompanisë së kateringut “Helios” (Facebook/ Helios- Restorant) “Ta sugjeroj, se është një sallë fantastike. E madhe por e mbledhur dhe ka dy ambiente ku mund të luajnë fëmijët dhe janë më të izoluara nga ambienti i prindërve”
Në fillim, u stepa pak pasi mora vesh vendodhjen e restorantit, rrugës për në Kombinat. Mendoja se ishte shumë larg dhe njerëzit do ta kishin të vështirë ta gjenin. Por kur shkova vetë kuptova se ishte gjëja më e thjeshtë: “Jo semafori tek kthesa për në Yzberisht, por semafori i ardhshëm (me drejtim Kombinatin). Atje, kthehu djathtas”. Kaq. Dhe aq më mirë: Një restorant i bukur dy katësh me një parking gjigand dhe i izoluar nga vendbanimet.
Kur hyra brenda më pëlqeu tej mase fakti që ishte modern dhe i thjeshtë, e të linte hapësirë për çfarëdolloj fantazie, pa u shqetësuar për dekoret e tepërta, gipset e gdhendura që të kufizojnë apo ngjyrat e errëta të shumë ambienteve që më kishin sugjeruar.
Tematika
Për ditëlindjen e Larisës, zgjodha temën “Liza në Botën e Çudirave”. Tre ditë pasi kishte propozuar “Frozen”, Lulu e hodhi poshtë dhe meqënëse ngeli pa opsione, ose më qartë, në atë moment unë shfrytëzova rastin për t’i propozuar përrallën time të preferuar edhe nga ana vizuale. Mendova se tema duhet të niste që nga ftesa e të përfundonte me veshjet e animatorëve si personazhet e përallës dhe me fustanin e Lulus, i qepur për të sipas fustanit të Lizës në versionin e Disney-t. Për të mos mërzitur vajzën time të vogël, i porosita edhe asaj një fustan si Mbretëresha e zemrave.
Dekori
“Liza në Botën e Çudirave” ka persoanzhe pa fund. Në foto të ndryshme që postohen në internet nga agjensi të ndryshme dekori eventesh, kisha rastisur me “Krisiko Art” (Facebook/Dekore Dasmash Krisiko Art), të cilët së fundmi kishin krijuar një pemë të mrekullueshme në dasmën e deputetes Olta Xhaçka dhe përpara kësaj, kishin stolisur ambientin e dasmës së Elisa Spiropalit.
Por ajo që me tërhiqte me shumë tek kjo kompani, ishte se të gjitha krijimet e “Krisiko Art” bëheshin me dorë, të personalizuara për gjithsecilin dhe kjo më jepte lirinë që të shprehja të gjithë fantazinë time. Një takim me Isidën dhe Ergysin mjaftoi që të rendisnim gjërat kryesore që na nevojiteshin. Vendosëm që për dekor të përdornim simbole të përrallës si letrat e bixhozit, lulet që flasin, orën e madhe, flamengot, pyllin dhe kryesoren: Një tavolinë çaji si ajo e Kapelebërësit ku të kishte ushqime për fëmijë dhe ku fëmijët të ishin në një nivel me tavolinën dhe jo të zgjateshin për të arritur gotën e ujit. Më pas, Krisiko më surprizoi me mënyrën se si i kishte krijuar dhe kishte vendosur elementët dhe me një orë gjigande që mbulonte pjesën e hyrjes në sallë.
Ftesa
Në shkollën e vajzë sime, mënyra më praktike për të shpërndarë një ftesë është nëpërmjet emaili-t. Por fëmijët nuk kanë email dhe detyrimisht ftesa shkon direkt në duart e prindërve. Unë doja të bëja të kundërtën. Të ndërtoja një ftesë që të ishte enkas për fëmijët dhe të kishte përmbajtjen e duhur, që çdo fëmijë të përfshihej në botën e Lizës, ta trajtonte ftesën si një përrallë dhe t’i paraprinte mbrëmjes së madhe me fantazinë që do të niste nga kjo ftesë. Ndaj vendosa të krijoja një poezi në anglisht dhe shqip (meqënëse Lulu shkon në shkollë ndërkombëtare) që kishte formën e një përralle të rimuar. Ftesa pati aq shumë sukses, sa edhe pas ditëlindjes, disa mikesha të miat më tregonin se si fëmijët e tyre e ruanin dhe e lexonin herë pas here sikur të ishte përrallë.
Ushqimi
Ushqimi ishte një nga pikat më të rëndësishme dhe unë këtu nuk do të kursehesha. Imagjinoja si për veten time; Prindër që vijnë të lodhur nga puna, nuk kanë kohë as të ndërrohen, sepse duhet të bëjnë gati fëmijët e tyre për në ditëlindjen e orës 18:00. Ardhja deri tek Restoranti Helios, do t’i hante shumicës rreth 20-25 minuta dhe kur të vinin atje do të ishin gati për vaktin e darkës. Ndaj nuk mundesha kurrsesi të bëja një koktej.Por ndërkohë, duke u bazuar në temën e ditëlindjes dhe në filozofinë e shkollës së vajzës sime World Academy of Tirana, doja që fëmijët të mos ushqeheshin nga prindërit, por të ishin ata që zgjidhnin vetë ushqimet dhe kishin vendin e tyre. Kështu që në bashkëpunim me Krisiko dhe Helios ndërtuam një tavolinë gjigande çaji që i shërbente rreth 70 fëmijëve. Tavolina u krijua e ulët dhe në vend të karrigeve ne ndërtuam kuba polesteroli, të cilat na rezultuan një “gjetje”, pasi fëmijët i merrnin me vete ato sa nga një vend në vendin tjetër të sallës, madje nga fundi nisën të ndërtonin edhe kala. Ushqimet ishin të dekoruara nga Helios me elementë nga “Liza në Botën e Çudirave”. Posteri mbrapa me pamje nga pylli në filmin e Disney-t, e bënte edhe më përrallor vendndodhjen e tavolinës së çajit.
Për të rriturit, menuja ishte e shumëllojshme. Nëse në qendër ishte tavolina e çajit e fëmijëve, në të dy anët e sallës, ku ishin ulur të rriturit kishte bankete me ushqime që nga djathrat e shumëllojshëm deri tek makaronat, salmoni apo lazanja dhe më pas ëmbëlsira të ndryshme, të gjitha të gatuara me kualitetin më të lartë.
Argëtimi
Në një ditëlindje të mëparshme, u njoha me një kompani animacioni që më pëlqeu vërtetë shumë. Themeluesi i saj, Ledio, se bashku me partneren Marsi, përveçse kishin një shumllojshmëri lojërash për fëmijë, kishin një komunikim të mrekullueshëm në të dyja gjuhët dhe më e rëndësishmja, kishin sensin e kohës. Fëmijët mërziten shpejt me një lojë dhe ata dinin se si t’i mbanin pas vetes përgjatë gjithë mbrëmjes. Në paketën që kërkova për argëtim, përfshiheshin tullumbacet, pikturim fytyre, një teatër kukullash, karaoke, lojëra kërcimi dhe lojëra magjie nga magjistari amerikan i njohur nga Portokallia, Krisi, i cili magjepsi jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit.
Për fëmijët që janë më të vegjël apo më introvertë, kërkova që të ndërtohej një kënd i veçante ku ata mund të vizatonin në qetësi, të ndërtonin gjëra me kuba, lego apo të krijonin forma të ndryshme me plastelinë. Këtë kënd ua sugjeroj të gjithë prindërve, sepse shumë fëmijë të cilët e kanë të vështirë shkëputjen nga prindërit kur ka turma fëmijësh të tjerë, gjetën veten tek ky kënd dhe në këtë mënyrë të rriturit u ndjenë më të lirshëm për të biseduar dhe për t’u argëtuar me njëri-tjetrin.
SA TË KUSHTOI?
Kjo është pyetja që besoj e keni bërë disa herë gjatë këtij shkrimi. Të jem e sinqertë, kjo lloj ditëlindjeje ishte e kushtueshme, por sepse zgjodha unë të ishte e tillë dhe jo sepse nuk mund të bëhej më me pak shpenzime.
- Helios Catering ofron disa lloj menush dhe me disa kërkesa specifike bazuar edhe në këshillat e mësipërme, të ftuarit do të jenë të kënaqur.
- Gjithashtu nga Krisiko Art, mund të kërkoni një dekor më të thjeshtë, vetëm disa elementë që do të justifikojnë tematikën tuaj.
- Kartolinat mund t’i porosisni ose mund t’i krijoni edhe vetë në shtëpi dhe t’i printoni në aq kopje sa doni ju. Një faqe ku mund të frymëzoheni për kartolinën tuaj është www.pinterest.com
- Në ditëlindjen e vajzës sime erdhën rreth 150 vetë. Ju mund të vendosni të thërrisni më pak dhe kjo do t’ju ulë shpenzimet në mënyrë të konsiderueshme
- Kompanitë e animacionit ofrojnë disa lloje paketash. Teatri i kukullave mund të shmanget, por nëse keni mundësi, do t’ju sugjeroja magjistarin Kris (E gjeni nëpërmjet Ledio Animation), sepse fëmijët patën një interest ë jashtëzakonshëm
- Mos e humbni këndin e vizatimit. Mjafton një furnizim i vogël tek Jumbo me lapsa, letra e plastelina dhe do të më falenderoni më pas, sidomos ju prindër me fëmijë të turpshëm apo të vegjël.
- Dhe në fund mos harroni: Prioritet në këto ditëlindje janë fëmijët, por mos i lini prindërit pas dore. Po gjetët mënyrën që t’i mbani fëmijët sa më të përqëndruar tek lojërat dhe t’u jepni të rriturve pak kohë për të folur me njëri-tjetrin, do të keni një festë të paharrueshme.