Le të tregohemi të sinqertë: të jesh beqar/e është e vështirë, sidomos nëse i ke kaluar të tridhjetat. Siç tha Emma Watson për Vogue U.K.: ““Nëse s’ke një familje, një bashkëshort, një fëmijë kur je prag të tridhjetave; nëse nuk je në një pozitë të rehatshme në karrierë; nëse jeni ende duke gjetur veten, të gjitha këto shkaktojnë ankth të paimagjinueshëm.” Dhe nëse Emma Watson ndihet keq, po gjithë të tjerët?
Shoqëria na thotë se sidomos gratë duhet të kenë dikë në krah para se të mbushin tridhjetë vjeçe. Dhe edhe nëse e dimë që këto rregulla janë gjepura dhe nuk vlejnë, presioni ndikon në jetën tonë. Me pak kohë dhe reflektim, Watson mësoi të ishte e lumtur vetëm – ose siç e quan ajo, “partnere e vetes.” Por a mund të jetë kushdo i lumtur vetëm?
Për çudi, studimet shkencore dalin në përfundime kontradiktore për sa i përket lumturisë që përjetojnë njerëzit e martuar apo ata beqarë. Një studim i 2019-s nga Zyra e Statistikave Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se njerëzit e martuar ishin më të lumtur se të vetë, të divorcuarit, të ndarët dhe beqarët.
Gjithashtu në maj të 2019-s, shkencëtari i sjelljes Paul Dolan deklaroi se studimi i tij i fundit vërtetonte se gratë e martuara ishin më pak të lumtura se gratë beqare. “Kemi të dhëna që studiojnë të njëjtët njerëz ndër vite, por do i injoroj dhe do e thjeshtësoj përfundimin e pritshëm: nëse je burrë, martohu; nëse je grua, mos e merr mundimin,” tha ai në Britain’s Hay Festival, raportuar nga The Guardian.
Burrat përfitojnë më shumë nga martesa sepse “zbuten,” tha ai. “Ndërmarrin më pak risqe, fitojnë më shumë në punë dhe jetojnë pak më gjatë. Ndërsa gruaja nga ana tjetër, duhet ta durojë gijthë këtë dhe vdes më shpejt nga ç’do të vdiste po të mos ishte martuar. Nëngrupi më i lumtur dhe më i shëndetshëm i popullatës janë gratë që s’u martuan e s’bënë kurrë fëmijë,” tha Dolan.
Në librin e saj “Happy Singlehood: The Rising Acceptance and Celebration of Solo Living,” sociologia Elyakim Kislev nuk pyeti thjesht në beqarët janë më të lumtur se të martuarit, por studioi rrethanat që i bënin të lumtur. Kislev zbuloi se beqarët e lumtur mbi 30 vjeç kalonin më shumë kohë me miqtë, familjen dhe kolegët; u shijonte puna; ishin optimistë për jetën’ dhe ndiheshin më të arrirë se beqarët e palumtur. Beqarët e lumtur gjithashtu vlerësonin më shumë lirinë, krijimtarinë dhe përvojat e reja.
Edhe pse këta faktorë ndikojnë edhe në lumturinë e të martuarve, për beqarët, efektet ishin më domethënëse. Siç raporton Psychoogy Today, “Në çdo rrethanë, beqarët përjetonin më shumë lumturi nga shoqëria, puna, parimet dhe perceptimet pozitive të vetes në krahasim me të martuarit.”
Nëse jeni beqarë dhe aspak të kënaqur me statusin tuaj, ky artikull s’ju vlen dhe aq. Por, duke parë studimin e Kieslev mbi rrethanat që i bëjnë beqarët e lumtur, mund t’ju ngrihet pak humori. Mund të fokusoheni te marrëdhëniet me miqtë dhe famlijen, të provoni hobi të reja dhe të jepni më të mirën në punë.
Përshtatur nga Refinery29