Showbiz dhe TV

Mozzik flet për herë të parë për divorcin: ‘Loredana duhet të ndryshojë, ajo e di’

Shkruar nga Anabel

22 Nëntor 2019

Mozzik flet për herë të parë për divorcin:

Mozzik dhe Loredana janë ende të ndarë dhe mesa duket ky status ka për të ndryshuar shumë shpejt. Nga të ndarë, do të jenë të divorcuar.

Në një intervistë për 20 Minuten, Mozzik foli gjerë e gjatë për marrëdhënien me Loredanën, tani që nuk janë më bashkë dhe për marrëdhënien me të kur ishin mirë e bukur.

“I shkruajta në Instagram dhe mendova ‘çfarë vajze fantastike.’ Pastaj prita një javë që ajo të më kthente përgjigje. Katër vite më parë, ditën e Shën Valentinit, u takuam për herë të parë,” tregon ai për fillimet e lidhjes. “[Takimi i parë] ishte i çuditshëm. U ulëm në një restorant dhe të gjithë na shihnin. Në një moment i thashë Lorit ‘eja ikim.’”

Për sa i përket ndarjes, Mozzik tha vetëm se gjërat nuk po funksiononin më dhe se shkaku ishte privat. “Gjëra që u ndodhin të gjithëve.”

“[Nuk jam i trishtuar.] Koha që kalova me Loredanën ishte e mrekullueshme, por ka ca momente në jetë... në një nga këto momente u ndava nga Loredana. Do ta respektoj gjithë jetën,” tha reperi. “Flas me të çdo ditë në video. E takova për herë të fundit para dy muajsh. Më merr çdo ditë malli për Hanën, që do ta takoj në dhjetor sepse ka ditëlindjen. Mezi po pres.”

U përfol se shkak për ndarjen e çiftit ishin paratë dhe konflikti i Loredanës me çiftin zviceran që e akuzon për mashtrim.

“Flisnim për paratë, si çdo çift. Por jo, s’ishin shkaku. Loredana ka zemër të madhe dhe i do të gjithë. Ajo duhet të ndryshojë. Nuk dua ta them në publik në çfarë mënyre, e di vetë ajo,” shtoi Mozzik.

Për sa i përket pyetjeve në lidhje me akuzat e ngritura mbi Loredanën, reperi tha se s’di gjë. “Nuk dua ta besoj se është fajtore. Shpresoj të mos jetë. Edhe po të shpallet fajtore, unë do të besoj të kundërtën,” përfundoi ai.