
Kur vizitituam atë që dikur ishte vila e familjes Lala, na bëri shumë përshtypje vila e fqinjit. Asnjë gërvishtje, asnjë ciflë suvaje e rënë, asnjë krisje, asgjë. A thua se tërmeti ra vetëm për fatkeqët ngjitur, për familjen që u shua. Natyrshëm lind pyetja: Pse disa shtëpi u shembën e disa jo? Këtë e shpjegon më së miri inxhinierja e ndërtimit, zonja Luljeta Bozo, që është prononcuar për kamerat me dhjetëra herë për të qetësuar publikun me fakte.
Në një prononcim për A2 News, ing. Bozo shpjegon pse u rrënuan disa prej godinave të Durrësit e Thumanës.
“Një ndërtim i projektuar drejt dhe i zbatuar drejt me rregulla antisizmike, nuk pëson gjë. Duhet të dini që inxhinierët që merren me këtë punë, që janë inxhinierë strukturistë, kur bëjnë llogaritjet, marrin parasysh çfarë objekti po ndërtojnë. Objekt banimi, një shkollë, një spital, që janë objekte me rëndësi të veçantë ku ka përqëndrim të lartë njerëzish. Marrin parasysh sa të gjatë e ka jetën, se çdo objekt ka një jetëgjatësi dhe sa herë brenda jetës së vetë mund të pësojë tërmet që inxhinieri mund të marrë masa. Jo për çdo tërmet mund të marrë masa. Deri në nëntë ballë me shkallën e vjetër të Merkalit që e mat shkallën me dëmin që pëson struktura.
"Shqipëria ndodhet në zonën që quhet “Brezi i zjarrtë” që është gjithë zona e Mesdheut. Është një zonë shumë e dobët. Është kufiri ndarës i dy pllakave EuroAzisë me Afrikën. Në këtë zonë ndodhin 25% e tërmeteve që ndodhin në botë. Njerëzit duhet ta kuptojnë që ne jemi në një hapësirë që do të lëkundemi herë pas here. Në këto shembje, janë dy gjëra që nuk janë respektuar," nis inxhinierja.
THUMANË
Ing. Bozo: "Nuk kanë ditur ku të ndërtojnë. Kanë ndërtuar në terrene shumë të dobëta, që e amplifikojnë lëkundjen. Në kodrat që rrethojnë Thumanën lëkundjet kanë qenë me amplitudë shumë të vogël, ndërsa brenda në Thumanë me amplitudë shumë të madhe. Zhvendosjet e tokës janë shumë të mëdha. Ashtu si zhvendoset toka, zhvendoset dhe objekti mbi tokë.
"Ndërtimet e Thumanës ishin ndërtime shumë të vjetra. Ato janë bërë rreth viteve ’70. Janë bërë me kontriubt vullnetar. Që do të thotë se kishte një brigadier dhe shkonin të gjithë njerëzit që kishin interes të merrnin banesë, jepnin kontributin e tyre, regjistronin orët dhe merrnin një apartament. Por ata nuk janë specialist ndërtimi. Është njësoj sikur të më thonë mua shëro një të sëmurë. S’e shëroj dot. Kam aq kulturë mjekësore sa të ruaj shëndetin tim, por jo të shëroj të tjerët. Kështu që atje s’janë respektuar fare rregullat e muraturës, se me muraturë janë bërë. Janë përdorur materiale të ndryshme, që nuk lejohet. Soletat kanë qenë të paarapërgatitura, soleta që lëvizin në kohën e lëkundjeve sizmike dhe i mban të lidhura vetëm brezi antisizmik. Atje janë shkelur shumë rregulla, ndër më elementaret për të pasur një godinë të qëndrueshme."
KËNETË, DURRËS
Ing. Bozo: “Nuk duhej dhe nuk duhet të ndërtohet në Kënetën e Durrësit. Ka qenë kategorikisht e ndaluar. Këneta e Durrësit është bërë qytet. S’ka asnjë garanci për sigurinë e atyre objekteve që janë në kënetën e Durrësit.
DURRËS PLAZH
Ing. Bozo: "E njëjta gjë edhe për ndërtimet e bëra në plazhin e Durrësit. Nga studimet e bëra për mikrozonimin sizmik nga një grup i madh shkencëtarësh shumë të zotë në Shqipëri, sizmologë, inxhinierë, gjeologë – është ende ai studim dhe s’e shfrytëzon askush – ka rezultuar që që nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Kavajë, rëra ka mundësi që për efekt të dridhjeve të shkaktuara nga tërmeti të sjellë prishje të strukturave dhe nga dhe normal, të kthehet në llum. Merreni me mend çfarë ndodh nëse nuk e njeh këtë si fenomen dhe themelet i ke në atë vend ku toka kthehet në llum. E keqja më e vogël është të zhytet vertikalisht. E keqja më e madhe është mënjanohet apo të përmbyset fare si Hotel Lubjana.”
Ing. Bozo: "Asaj godinës që iu këputën dy kate si t’i kishte prerë dikush, ajo ishte me tulla, unë nuk e di me siguri, por duke parë, them se i kanë prishur strukturën poshtë. Kanë hequr muret për të bërë lokal. Nuk mund ta bësh këtë kur s’je specialist. Nuk mund të heqësh muret që mbajnë ngarkesën gjatë lëkundjeve sizmike se t’u tek të bësh lokal."