Pak orë para finales së edicionit të 21 të “Këngës Magjike”, kanë nisur diskutimet se cili/a këngëtar/e do të rrëmbejë çmimin e parë. Ndonëse disa emra janë më të lakuar se të tjerët, na duhet të theksojmë mënyrën e votimit, që konsiston në mbledhjen e votave të publikut, votave të jurisë së kategorisë New Artist dhe votave që artistët kanë dhënë për njëri-tjetrin. Përsa i përket këngëve më të preferuara, bazuar në këtë sondazh të Anabel, pretendentët kryesorë vijojnë kështu:
Në vendin e pestë: Kachinari – Dua
Ndonëse kënga e Gjergj Kaçinarit nuk është një nga ato që numëron shumë klikime në YouTube, nga votuesit e Anabel.al është renditur në vendin e pestë. Kënga, me tekst dhe muzikë të Kaçinarit, trajton forcën për t’u ringritur ndaj vështirësive. “Dua, rrugën time të vazhdoj unë/ Dua, jo s’do më tregojnë çfarë është për mua/Edhe nëse vetëm do jem, fjalën time nesër do ta kem,” është një pjesë e tekstit.
Në vendin e katërt: Olsi Bylyku – Ma kthe
Këtë edicion, falë suksesit të një viti më parë, Olsi konkurroi si pjesë e artistëve Big. Kënga e tij “Ma kthe” u shndërrua në një nga këngët më të klikuara në YouTube. Ai bashkëpunoi me të dashurën, Egli Takon dhe Alban Kondin për të realizuar tekstin. Muzika është punë e Alban Kondit dhe Elgit Dodës. Ky i fundit ka realizuar edhe orkestrimin. “Ma kthe” hapi natën e parë gjysmëfinale dhe ishte zgjedhja e duhur nisur nga tragjedia e 26 nëntorit.
Në vendin e tretë: Marsela Çibukaj – Thërrime dashurie
Pjesëmarrja e parë në “Këngën Magjike” rezultoi tepër e suksesshme për Marselën, një talent që ka spikatur qysh herët me pjesëmarrjen e saj në The Voice. Teksti i ndjerë i Rozana Radit me kompozim të Adrian Hilës, kënduar nga vokali karakteristik i Çibukajt, është një nga pretendetët për finale, pse jo edhe për çmimin e parë.
Në vendin e dytë: Eneda Tarifa – Ma zgjat dorën
Pas 11 vitesh mungesë, Eneda Tarifa u rikthye në “Këngën Magjike” me “Ma zgjat dorën”. Siç pritej, bashkëpunimi me kantautorin Flori Mumajesi pati tepër sukses. Nuk është hera e parë që bashkëpunimi me Mumajesin i sjell fat Enedës, ku mjaftojnë të kujtojmë këtu vendin e parë në Top Fest 7 me “Me veten”. Deri tani, Eneda është një nga më të përfolurat për çmimin e madh, gjë që duket edhe nga votimi i publikut në sondazhin e Anabel.al.
Në vendin e parë: Fifi – Marova
Që pas prezantimit të këngës në rubrikën e “Këngës Magjike” te “E diela shqiptare”, Fifi theu rekord duke u kthyer brenda pak ditësh në këngën më të klikuar të festivalit. “Marova”, teksti dhe muzika e së cilës është shkruar nga Fifi ndërsa për orkestrimin është kujdesur Kledi Bahiti, riktheu sërish fuqishëm Fifin në “Këngën Magjike”, e cila dy edicionet e kaluara ka rezultuar si një ndër të preferuarat e publikut. Në sondazhin e Anabel.al, ajo qëndron në vendin e parë me një diferencë të theksuar votash.
Sigurisht që ky është thjesht një plan i përgjithshëm, pasi siç e thamë votimi do të ndahet mes publikut, jurisë dhe artistëve që do të votojnë për njëri-tjetrin. Shtojmë se këngëtarë si Soni Malaj dhe West Side Family janë gjithashtu të votuar dhe renditen në Top10, së bashku me Lind Islamin dhe Anxhela Peristerin. Në Top10 renditet edhe Inis Neziri, vokali i jashtëzakonshëm i së cilës u vlerësua me çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar “New Wave” në Rusi.
