Ka kaluar vetëm një javë që kur ylli i YouTube, Nikkie de Jager – e njohur si NikkieTutorials – doli haptazi si grua transgjinore. Blogerja dha një intervistë për Ellen DeGeneres ku shpjegoi si u detyrua të tregonte të vërtetën pas kaq shumë vitesh.
Në videon që është parë mbi 31 milionë herë, Nikkie zbuloi se po dilte haptazi ngaqë dikush po e shantazhonte. Ajo i tha Ellen që ka dashur gjithmonë t’u tregojë të vërtetën fansave, por s’kishte gjetur momentin e duhur.
Dhe më pas këtë vendim e mori dikush tjetër për të. “Disa javë më parë, më vijnë emaile nga një person speicifik që s’ndihej mirë për faktin që po gënjeja dhe donte të më ekspozonte,” tha ajo për Ellen.
Në videot e saj më të hershme, rreth vitit 2008 kur ajo ishte vetëm 14 vjeçe, Nikkie ishte në mes të tranzicionit. Mesa duket, shantazhuesi mendonte se Nikkie po e fshihte identitetin e saj të vërtetë.
“Kishte një ton shumë të tensionuar dhe më tha se nëse nuk i përgjigjem brenda një dite, do ta bëjë publike,” tha Nikkie. “Dhe mendoj se synimi i tij ishte të më shkatërronte jetën.”
Duke buzëqeshur, Nikkie shtoi, “Por gjejeni çfarë? Nuk më shkatërroi asgjë.”
Blogerja ka marrë reagime të shumta pozitive kundrejt videos ku rrëfeu se është transgjinore. Sidoqoftë, e pranon se kishte shmë frikë të postonte videon.
“Fillova të qaja dhe kisha të fejuarin, Dylan, në krah. Më tha që mund ta bëj, që mund t’ia dal. Më shtyu ai më së shumti. Më tha, ‘Do ta kalojmë dhe këtë. Gjithçka do të shkojë mirë. Do bëhesh më mirë, do ia dalësh,’” tregon Nikkie.
Nervoziteti mbi mënyrën si do ta prisnin fansat u kthye në emocion kur pa se të gjithë po e mbështesnin.
“Dua ta përdor këtë mundësi për të frymëzuar plot njerëz të tjerë transgjinorë. Edhe nëse e keni kuptuar më vonë se unë identitetin tuaj, duhet ta pranojmë,” tha ajo dhe shtoi se shpreson që veprimi i saj t’i normalizojë transgjinorët dhe të demonstrojë se s’janë “përbindesha” siç i etiketojnë.
Nikkie e ka ditur gjithmonë që është lindur në trupin e gabuar dhe e konsideron veten me fat që nëna e saj e mbështeti që prej fillimit.
“I thoja që doja të vishja rroba vajzash dhe s’më pengoi kurrë,” rrëfeu Nikkie. “Edhe pse doktorët donin që të prisnim pak më gjatë.”
Nikkie e nisi tranzicionin kur ishte ende fëmijë dhe e përfundoi në fund të adoleshencës.
Burimi: TooFab