Instagramming

Nas Daily i rikthehet sërish debatit të zjarrtë me Ermal Mamaqin

Shkruar nga Anabel

1 Shkurt 2020

Nas Daily i rikthehet sërish debatit të zjarrtë me Ermal Mamaqin

 “M’u desh kaq kohë që të bëja këtë video. Për arsye të kuptueshme. Nuk është për të qeshur. Më la pa fjalë. Nuk dija se çfarë të thoja për këtë çështje...deri tani. Faleminderit Alyne që reagove. Mendoj se do të frymëzojë miliona [njerëz] anembanë botës që të flasin,” shkruan Nas Daily në një tjetër video javore të postuar në Facebook-un e tij, ku i rikthehet debatit me Ermal Mamaqin.

Në fillim të videos, Nas Daily sqaron se bisedat mes çunave janë diçka normale dhe përgjithësisht diskutohet për gratë, seksin dhe disa prej tyre mund të jenë fyese dhe seksiste.

“Bisedat mes çunave ndodhin në privat. Edhe unë i bëj në privat, derisa një ditë më ndodhi në publik.”

Më pas, Nas shton se pothuajse gjatë gjithë bisedës, Ermal Mamaqi fliste me gjuhën e “bisedave të çunave”, gjë që e bënte blogerin të “ndihej në siklet”.

“Ai bëri shaka seksiste, nuk i respektoi gratë dhe mua si edhe i detyroi ato për të bërë pyetje në vend të tij,” shton më pas ai, duke nënkuptuar Kejvinën.

Në vijim, Nas ndalet te reagimi i Alyne.

“Të jem i sinqertë, në atë moment mendova që e teproi, por në fund të ditës isha i sigurt që kishte të drejtë.”

Ndër të tjera, Nas thekson se fakti që ka moderatorë të tjerë nëpër botë që bëjë shaka që mund të interpretohen edhe si seksiste, s’do të thotë që duhet të ndodhë. Ai i referohet videos së Mamaqit në YouTube, i cili reagoi duke përmendur një sërë moderatorësh të formateve të ngjashme me “Xing me Ermalin”.

“Eksperienca më ka treguar se kur këto bisedat e çunave janë ok në privat, dalëngadalë bëhen ok edhe në publik. Pa kuptuar, pjesa më e madhe e programeve televizive janë raciste dhe pak nga pak ne i konsiderojmë shaka. Pak nga pak, [të tilla komente] lëndojnë.”

Në përfundim, Nas shprehet i pakënaqur me reagimin e tij në “Xing me Ermalin”.

“Unë qesha me shakatë seksiste duke shpresuar që intervista do të mbaronte më shpejt. Por të jem i sinqertë me ju, nuk mjafton dhe djemtë si unë duhet ta kishin ndaluar. Duhet t’i japim fund këtyre bisedave mes çunave, kurdo që të ndodhin: në privat, në publik, aq më tepër në një televizion kombëtar.”

Në nëntor të 2018-s, Nas Daily dhe e dashura e tij, Alyne, ishin të ftuar në “Xing me Ermalin”, intervista e të cilëve mori një tjetër kthesë pasi Kejvina pyeti Nas se “përse udhëton shpesh, apo për të takuar goca?”. Alyne reagoi menjëherë dhe mes lotësh u shpreh se “në Ballkan gratë trajohen si objekte seksi”. Fillimisht Ermali kërkoi ndjesë duke thënë se “për fat të mirë, nuk jetojmë në një shtet ku humori censurohet”, por pas videos së Alyne-s që shpjegonte se çfarë nuk u transmetua në “Xing me Ermalin”, vetë ky i fundit iu drejtua YouTube-it për versionin e tij.