Dy orë më parë, Eugent Bushpepa publikoi “Stay With Me Tonight” dhe në video, përveç tij dhe për habinë e të gjithëve, ishte Adrola Dushi. S’është aspak e pazakontë që një modele të shfaqet në klipe muzikore. Madje për disa kanë shërbyer si nisja e një karriere në modeling. Adrola nga ana tjetër, u ka qëndruar larg.
“Ju nuk më keni parë në asnjë videoklip dhe ndoshta nuk do të më shihni më asnjëherë, por këtij djalit, ose më saktë, këtyre djemve nuk u thoja dot jo,” shkruan ajo në Instagram.
View this post on Instagram
Adrola pranoi sepse të tre të përfshirët në këtë klip, ajo, Eugenti dhe regjisori, Renuar Locaj, janë nga Rrësheni. Fakti që janë nga një qytet kaq i vogël nuk i ndaloi të realizonin ëndrrat e tyre. Adrola është modele goxha e suksesshme, Eugenti këngëtar fantastik dhe Renuari një nga fotografët më të njohur në Shqipëri.
Adrola vijon, “Rrësheni rocks! Erdhëm të tre nga një qytet i vogël dhe ia dolëm të ndërtonim ëndrrat tona. Gent, unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithnjë fanse e muzikës dhe zërit tënd. Reni, ti je bashkëpunëtori i vjetër, profesionist i vërtetë, tanimë shoku im.”
Në vidoen e “Stay With Me Tonight,” Adrola luan rolin e të dashurës së Eugentit. Ata lazdrojnë në plazh, në shtëpi, në lokal – zihen në makinë – dhe pajtohen po në shtëpi.