Health News

Ç’po ndodh me situatën e koronavirusit në Itali

Shkruar nga Anabel

24 Shkurt 2020

Ç’po ndodh me situatën e koronavirusit në Itali

Pas shpërthimit të koronavirusit në Itali, kryesisht në zonat veriore të saj, Europa u përfshi nga paniku. Pas Azisë, deri në këto momente mendohet se Italia është rajoni me përhapjen më të lartë.

Referuar të dhënave të mediave lokale (via BBC), në Itali janë raportuar të paktën 152 të infektuar dhe 3 persona kanë ndërruar jetë. Të tre viktimat ishin në moshë madhore.

Si pasojë e situatës, autoritetet anuluan karnavalet e Venecias, pezulluan aktivitetet e bizneseve, shkollave dhe ngjarjet sportive.

Rreth 50,000 njerëz nuk mund të hyjnë ose të dalin në disa qytete në Veneto dhe Lombardi të paktën për dy javët e ardhshme në rast se nuk janë të paraqitur me leje speciale.

Në Austrinë fqinje, një tren nga Venecia u ndalua në kufi pasi dy pasagjerë patën simptoma të etheve. Ministri i Brendshëm i Austrisë konfirmoi më vonë se të dy rezultuan negativë nga koronavirusit Covid-19.

Kryeministri Giuseppe Conte njoftoi të shtunën se po merren “masa të jashtëzakonshme” për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Ai shtoi se kufizimet në karantinë mund të zgjasin me javë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të kërkohet ndërhyrja e policisë dhe forcave të armatosura.

Zyrtarët italianë thanë se po përpiqen të gjejnë burimin e shpërthimit të virusit.

Colette Walsh, një mësues anglez që jeton në qytetin Lissone, tha për BBC se “situata është surreale, nuk kam parë kurrë diçka të tillë”.